Nisma për Kodin Penal, të mërkurën e ardhshme në rend ditë të Gjykatës Kushtetuese

Gazetar: Suad Bajrami

Gjykata Kushtetuese konfirmon për Alsat se në seancën e 12 shkurtit, si pikë e parë e rendit të ditës është vendosur të jetë nisma e kryetarit të Lidhjes Demokratike Pavle Trajanov, në të cilën kërkon që të rishqyrtohet kushtetutshmëria e ndryshimeve të Kodit Penal në shtator të vitit 2023, me të cilat u ulën dënimet për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe shoqërimit kriminal, por edhe u liruan nga ndjekja penale disa funksionarë dhe u mbyllën disa raste të korrupsionit të lartë.

Iniciativën, Trajanov e ka dorëzuar vetëm dy javë pasi u miratuan ndryshimet skandaloze të Kodit Penal, ndërkaq Gjykata Kushtetuese e vendos në rend dite pas një vjet e katër muajsh. Trajanov, në dalje publike ka deklaruar se shpreson që Gjykata të dorëzojë masë të përkohshme për të anuluar zbatimin e ndryshimeve të Kodit Penal, megjithatë Gjykata Kushtetuese në një deklaratë të janarit të vitit 2024, ka përgënjeshtruar për një kërkesë të tillë nga ana e Trajanovit. Ndryshimet, sipas Trajanovit janë në kundërshtim me obligimin kushtetues për sundim të së drejtës dhe ligjet të vlejnë njëjtë për të gjithë, por edhe kundër nevojës për mbrojtjen e pronës shtetërore nga keqpërdorimet nga ana e bartësve të funksioneve publike.

Derisa pritet vendimi i Gjykatës Kushtetuese, në fuqi mbeten ndryshimet e Kodit Penal të vitit 2023, të cilat parashohin dënime më të buta për funksionarët. Pushteti aktual ka paralajmëruar miratim të Kodit të ri Penal, i cili tanimë disa muaj ndodhet në Komisionin Evropian, ku duhet të jepet mendim, ndërkaq pritjet janë që të miratohet gjatë vitit 2025, duke mos precizuar konkretisht muajin.

“Presim që Kodi i ri Penal të miratohet në vitin 2025, ai është përkthyer në gjuhën angleze, ndërkaq po mbaron edhe procesi i përgatitjes së tabelave të korrespondencës si obligim i skriningut bilateral për Kapitullin 23. Pas marrjes së mendimit nga Komisioni Evropian, grupi punues në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë do të mbajë mbledhje për përfshirjen e mendimeve të marra, pas çka do të mbahen debate publike dhe teksti i Ligjit do të dorëzohet në procedurë qeveritare dhe kuvendore për miratimin e Kodit të ri Penal”, njoftojnë nga Ministria e Drejtësisë.

Nga Ministria e Drejtësisë thonë se një prej çështjeve kyçe në Kodin e ri Penal do të jetë avancimi i sanksioneve për krim të rëndë, veçanërisht për krim ekonomik dhe korrupsion, ndërkaq do të ketë vepra të reja penale që kanë të bëjnë me veprat penale financiare, përfshirë praktikën e konfiskimit të pronës. Me Kodin e ri, siç thonë nga Ministria e Drejtësisë, do të përmirësohet edhe mbrojtja e të drejtave të njeriut në pjesën e të drejtave procedurale të personave të akuzuar dhe dënuar. Miratimi i Kodit të ri Penal është edhe kërkesën e Bashkimit Evropian. Në raportin e KE-së për vitin 2024, u theksua se ndryshimet skandaloze të Kodit Penal të vitit 2023, dobësuan kuadrin ligjor, duke ndikuar negativisht në ndjekjen penale të korrupsionit, veçanërisht në çështjet e nivelit të lartë. Nga këto ndryshime skandaloze të cilat prodhuan efekte negative në luftën kundër krimit dhe korrupsionit, më shumë përfitime patën të akuzuarit në lëndët e ish Prokurorisë Speciale. /Alsat.mk

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme