Një dialog i pambaruar i Kim Mehmetit

“Një dialog i pambaruar” quhet libri me autore Alda Bardhyli, i cili ka dalë në librari nga botimet Logos-a. Në fokus të këtij dialogu është shkrimtari Kim Mehmeti, i cili shpalos një vështrim të rrugëtimit historik të shqiptarëve në Ballkan, duke nisur nga gjuha e kultura, personazhe që kanë bërë historinë tonë letrare, por dhe politika. Shkrimtari dhe vepra e tij, shkrimtari dhe vetja tjetër e tij, Çfarë e shqetëson? Si përplotet? Marrëdhënia me letërsinë e shumëçka tjetër në një rrëfim të sinqertë reflektues të Kim Mehmetit.  Libri shoqërohet me një parathënie nga Grida Duma.

Si ndjeheni ndaj kulturës europiane. Ezra Paund e quante atë kohë më parë si “barbare”. Në shkrimet tuaja shpesh ndjehet një seri tensionesh përsa i përket europianizmit?

Nuk kam asnjë mosmarrëveshje e as problem me europianizmin, por me keqpërdorimin dhe glorifikimet e vlerave të kujdoqofshin ato. Pra jam kundër keqpërdorimit të çkado qoftë, për të mbuluar inferioritetin vetjak. Për mua nuk ekzistojnë as vlera, as kulturë evropiane, por shumësi vlerash e kulturash të popujve që jetojnë në këtë kontinent. A mund të më shpjegojë dikush se cila është ajo kulturë evropiane? Përpos nëse ai dikush atë e barazon me krishtërimin. E nëse kultura europiane peshohen vetëm me kandarin e krishterë, atëherë unë nuk dua të matem vetëm me atë peshore, por me larmishmërinë kulturore, fetare e etnike, që e përbëjnë këtë kontinent. Pastaj ka diçka irrituese kur bëhet fjalë për ne shqiptarët: jemi të skajshëm, kështu që kur ne bëhemi komunistë atëherë edhe Stalinin e mbrojmë nga rusët, e kur ne bëhemi proeuropianë e proamerikanë, atëherë edhe Amerikën e Evropën i mbrojmë nga amerikanët dhe evropianët! Edhe vet Evropa sot nuk e ndanë botën si dikur – në Oksident dhe Orient, ngaqë Linja e Perëndimi qëmoti janë shkri në njëra-tjetrën. Thjesht, jam kundër kulturës së më të fortit e më të pasurit, i cili i asgjëson dhe i përvetëson kulturat e të varfërve dhe të pambrojturve, vetëm pse ka forcë e pasuri. Nëse dilni dhe i vizitoni muzetë e metropoleve të Evropës, aty do gjeni më shumë eksponat të vjedhur nga mjediset e largëta, se sa nga vet kontinenti ynë.

Feja ka luajtur një rol shumë të rëndësishëm në jetën dhe zhvillimin tuaj, por ju nuk e keni trajtuar atë në çdo nivel filozofik ose moral, ashtu si Graham Grin apo Xhorxh Bernanos; feja nuk ka qenë asnjë nga temat kryesore në romanet tuaja. Përse?

Po, unë jam rritur në mjedis ku pesë herë në ditë dëgjohet thirrja e Ezanit. Pastaj jam rritur në familje ku të gjithë kanë agjëruar dhe kanë falur namaz. Por kjo ka qenë vetëm një nga shumë elementet që kanë përbërë individualitetin tim. Un kam shkruar shumë analiza edhe për politikën, por besoj se atë nuk mund ta gjeni në veprat e mia. Thjeshtë unë nuk kam ndërtuar letërsi duke përdorur si lëndë të parë vetveten, por duke ndërtuar botën time krijuese që të jetë e përshtatshme për të ardhurit nga punëtoria e imagjinatës sime. Jo vetëm fenë, po çdo gjë tjetër, nuk mund ta përdorësh në krijimtari si diçka të sforcuar, por vetëm nëse ‘vjen’ e bëhet pjesë e tërësisë letrare. Kështu që feja dhe politika nuk janë materie nga të cilat ndërtoj letërsi, e as që merrem me to kur ndërtoj Makondon time letrare. Ato vetvetiu janë aty dhe nuk ka nevojë t’i trajtojë në mënyrë të veçantë.

 A keni një ide bazë, një fjali ose diçka që nxit procesin e krijimit të veprës, kur filloni një dramë, roman apo tregim?

Veprat filloj t’i ‘shkruaj’ në imagjinatë. Dhe ky proces zgjat shumë, madje edhe me vite, që pastaj për shkurt kohë, ato t’i hedh në letër, apo thënë më saktë në kompjuter. Pra, pasi ta kem përpunuar deri në imtësinë e fundit, ulem dhe e shkruaj atë. Dhe gjatë shkrimit ndodh që të shkoj përtej variantit të parë që kam në kokë, por jo në ato përmasa sa të ndryshojë tërësia e përpunuar në kokë me muaj e madje edhe me vite të tërë. Sado që nuk do e besoni, unë kënaqem duke e ndërtuar veprën në kokë. Pjesa e shkrimit më është pak edhe e lodhshme dhe më duhet kohë ta bind veten e të ulem një muaj të tërë të shkruaj atë që ka pjellë imagjinata ime. Dhe procesin e krijimit ndonjëherë e nxit vetëm një mendim lidhur me diçka nga e kaluara apo e sotmja. Pastaj shpesh më ka ndodhur që një ngjarje e thjeshtë të më nxisë, që me muaj të mendoj për shumëçka tjetër dhe kështu të lind vepra.

 Si është për ju akti i të shkruarit. John Updike një herë tha se sapo e hedh në letër, dëshpërimi shndërrohet në një lugë mjaltë!

E thashë edhe më lart: kënaqem përderisa e ndërtoj veprën në imagjinatë. Madje s’mund ta paramendoni sa gëzohem kur më vjen në kujtesë ndonjë gjetje e mirë lidhur me atë që dua të shkruaj. Por tmerrësisht lodhem kur ulem ta përmbush pjesën teknike: të shkrimit në kompjuter. Nuk e di pse, por kur e përfundoj veprën time në imagjinatë, më humb vullneti për ta shkruar atë. Dhe më duhet kohë ta bind veten që të ulem dhe ta shkruaj. Për shembull, romanin ‘Shpërngulja e të vdekurve’ e kam pasur në kokë të kompletuar një vit para se të ulesha e ta shkruaja. Por më kaplonte një bezdi nga të shkruarit sa herë që e lusja veten të ulem e të shkruaj. Kështu ndodh edhe sot me romanin ‘Mëhalla e kurvave’ të cilin e kam në kokë të kompletuar me pikë e presje, por nuk më jepet e nuk me jepet të ulem përpara kompjuterit e ta shkruaj. I tillë kam qenë gjithmonë, por kurrë nuk e kuptova pse. Njësoj siç kam qenë shumë mospërfillës ndaj asaj që kam shkruar. Mospërfillës në kuptimin se kurrë nuk jam ngutur që vepra të botohet sa më shpejtë dhe aq më shumë, pasi i kam shkruar, ato ua kam lënë në dorë miqve, që ata të vendosin ku dhe kur do i botojnë. Thjesht kam dashur t’i largoj sa më shpejt nga vetvetja, si parakusht që të filloj të ndërtoj në imagjinatë veprën e re. Sepse përderisa e kam në kompjuter atë të vjetrën, nuk me jepet të shkruaj asgjë të re.

 Si e organizoni kohën? Shkruani rregullisht, çdo ditë? Philip Roth ka thënë se ai shkruan tetë orë në ditë, treqind e gjashtëdhjetë e pesë ditë në vit. E ndieni të pamundur të shmangni të shkruarit?

Kimi shkrimtar dhe ai tjetri në mua, herë-herë edhe me vite të tëra, nuk bëhen bashkë. Le që nuk shkruaj çdo ditë, por ndodh që me vite të tëra të mos shkruaj asnjë rresht. Pastaj nuk u takoj atyre që gjithçka ia përkushtojnë letërsisë. Kam lënë librat në gjysmë për një shëtitje diku nëpër botë, për një takim me ndonjë njeri të dashur. E di që artin e mbajnë në këmbë asketët që çdo gjë ia përkushtojnë atij, por faleminderit – asketizmi le tu mbetet asketeve e mua bindja se nuk vlen gjë jeta e harxhuar duke pirë vetëm një lëng të vetëm të saj. Kështu që edhe ditët e mia nuk kanë orar të saktë e aq më pakë kohë kur shkruaj dhe kohë kur nuk shkruaj. Shkrimi është pjesë e jetës sime, si shumëçka tjetër dhe shkruaj kur ndiej nevojë. Pra nuk jam nga ata që ndjejnë nevojë të përditshme për të shkruar. Përkundrazi: ka muaj e madje edhe vite kur as nuk e ndjej të gjallë shkrimtarin në mua. E madje kur marr të lexoj diçka nga ajo që kam shkuar, më ndodh t’ia kem zili atij në mua që ka pasur durim e shkathtësi të tjerrë diçka të tillë.

Megjithatë ka shumë pak dashuri në librat tuaj…, pothuajse nuk gjen gra apo burra që janë në gjendje të bëjnë gjithçka për dashurinë…

Përkundrazi… Në librat e mi ka shumë dashuri. Në to dominon mbretëresha e gjitha dashurive: ajo ndaj nënës dhe ndaj fëmijëve. Gjithë dashuritë e  tjera janë vetëm kopje të zbehta të këtyre dashurive. Ai që nuk ka shijuar gjoksin e ngrohtë të nënës dhe kokon e pjellës së vet të mbështetur në gjoksin e vet, kurrë nuk do ta njohë shijen e mirëfilltë të dashurisë. Dashurinë që mbështetet mbi epshet shtazarake – atë mes burrit e gruas – e kam trajtuar shumë në prozat e mia më të shkurta, në tregimet e novelat. Pastaj edhe nuk e besoj se ka gra dhe burra që janë të gatshëm të bëjnë gjithçka për dashurinë, përpos nëse ajo nuk ka të bëjë me dashurinë amënore apo atë të babait ndaj pjellës së vet. Unë di për nëna e baballarë që janë flijuar për fëmijët e tyre, por nuk njoh burrë apo grua që ka flijuar çdo gjë për partnerin e vet. Aq më shumë nuk kam takuar dy të dashuruar që në mes nuk ka qenë epshi seksual, ai që i mban të lidhur. Mund ta paramendoni të jetojnë bashkë e të dashurohen mes veti një grua e një burrë që nuk kënaqen mes veti seksualisht, apo anasjelltas. Andaj kjo dashuri është ‘kalkulative’, e kushtëzuar dhe mbështetet mbi një interes shumë konkret. Dashuri e vërtetë është ajo kur tjetrit ia jep më të vlefshmet dhe më të bukurat që ke pa kërkuar asgjë si kundërshpërblim, e që ndodh vetëm kur janë në pyetje fëmijët tanë.

 A do të thotë kjo se nuk besoni te dashuria?

Besoj shumë, por jo te modeli i dashurisë së shpalosur nëpër serialet romantike. As te ajo e rrëfyer nëpër romane dashurie. Sepse edhe aty, për shembull, edhe te romani ‘Ana Karenina’, dashuria që dhemb është ajo ndaj fëmijës, e jo ndaj të dashurit. Unë i besoj edhe dashurisë mes gruas e burrit dhe ajo është shumë e lezetshme, por e thashë: ajo as që mund të quhet dashuri nëse e krahason me atë të fëmijës ndaj nënës, apo të nënës ndaj fëmijëve të saj.

 Çfarë e shqetëson më shumë veprën tuaj?

Ajo që here-herë me shqetëson edhe mua: ndjenja e pakuptimësisë së kësaj jete dhe shpejtësia me të cilën harxhohet më e vlefshmja që kemi – koha.

Edhe kur përpiqeni të tregoni dashurinë ndaj një gruaje, siç është Gentiana në tregimin me të njëjtin titull, ju doni të ikni prej saj, të shpëtoni… A është dashuria një peshë qe e pengon letërsinë? A duhet shkrimtari të jetë i lirë për të shkruar?

Një tjetër personazh që ju e dënoni me vdekje është Fatka te “Mbledhësit e luleve të vyshkura”. Pse duhet ta çoje Fatkën drejt atij fundi…?

Dashuria e vërtetë nuk është peshë, por dhembje dhe trishtim i lezetshme nga të cilat nuk duam të shërohemi. Nga dashuria nuk mund të iket, ngaqë ajo është bërthama e jetës. Si e tillë ajo nuk e pengon as jetën as letërsinë, por i mirëmban ato. Dhe nuk ka asnjë arsye pse shkrimtari nuk do ndjehej i lirë të shkruante për çkado qoftë që ka të bëjë me botëkuptimet e tij për jetën, për këtë botë, për gjërat e imagjinuara…, për çdo gjë që mund të jetë brumë nga i cili mund të ngjishet e gatuhet një vepër letrare.

Femrat kanë qenë pjesë e rëndësishme dhe e bukur e përmbajtjes sime jetësore. Madje mund të them se ajo është përmbajtja më e begatë dhe më e rëndësishme e jetës sime. Femrat e prozës sime janë nga ato që shkojnë përtej dashurisë, ato zbërthejnë thellësitë e jetës. E në ato thellësi shkohet me vetëdijen se megjithatë, një ditë vdes çdo gjë te ne dhe rreth nesh.

“Në xhepin e jelekut të gjyshes” është dhe novela që nis rrugëtimin e një personazhi që e dominon letërsinë tuaj gjyshja. Ju më keni treguar që nuk e keni njohur kurrë gjyshen tuaj… A është kjo një shpikje e juaja për ta përdorur letërsinë që t’i plotësoni vetes një mungesë apo diçka tjetër…?

Gjyshja nga ana e nënës sime as që ka qenë gjallë kur kam lindur unë, ndërkaq  gjyshja nga ana  e babit ka vdekur në moshën time 5 vjeçare. Pra jam rritur pa gjyshe e gjyshër. Sidoqoftë, nuk u takoj shkrimtarëve që bëjnë letërsi duke përdorur ‘pasuritë’ apo mungesat e tij jetësore. Shkurt e shqip, në veprat e mia nuk jam unë e as ka personazhe të marrë nga rrethi im familjar. Unë shkruaj për gjyshet e këtyre anëve, duke i përshkruar ato siç i fytyron imagjinata ime. Me këtë nuk dua ta mohoj të vërtetën se në çdo vepër është edhe autori, por dua të pohoj se nuk shkruaj vepra biografike. Madje besoj se është shumë e vështirë që nga jetë përshkrimi yt të bësh letërsi. Arti është diçka përtej njohjes së vetvetes: është njohje e TJETRIT po aq sa vetveten, si parakusht që për TJETRIN të shkruash aq besueshëm sa edhe për vetveten. Andaj mua më vjen mirë nëse te lexuesit e kam arritur shkallën sa ata të besojnë se jam duke përshkruar gjyshet e mia. Apo edhe nëse mendojnë se suksesshëm kam shpikur mënyrën si t’ia plotësoj vetvetes të munguarat.

“Oh Imzot, ti që ke krijuar lulet për ti gënjyer njerëzit, më lër të mbetem njeri”. Në fakt, një nga krizat e shoqërisë së shekullit XXI është të mbeturit njeri…?

Unë jam fëmijë i socializmit. Pra i epokës kur komunistët donin ta vrisnin Zotin. Vitet  e pjekurisë dhe të sotmen e jetoj në kohë vrastare të Njerëzores në ne. Nuk u takoj të moshuarve që gjithë të ‘këqijat’ e të sotmes, i krahasojnë me të ‘njerëzishmen’ nga e shkuara e tyre. Jetoj me bindjen se çdo gjeneratë e jeton kohën vetë, si dhe i bindur që kjo botë ekziston mbi disa vlera njerëzore që mbeten të përjetshme. Por, më duket se sot është shumë e vështirë të mbetesh njeri. Madje  individit i është marrë mundësia të ketë diçka që i takon vetëm atij, ta ketë të mbrojtur intimitetin e vet. Sot pra, na merret çdo gjë që përcakton personalitetin tonë dhe madje insistohet që të dukemi e të jemi të atillë siç do donin të ishim, e jo të mbetemi atë që duam të jemi. Andaj, nëse e vëreni, gjithnjë e më e rëndësishme bëhet dukja e jashtme, e gjithnjë e më të pavlera tiparet që përcaktojnë brendinë njerëzore. Për shembull, sot është e turpshme të jesh ‘trup trashë’, por jo edhe ‘tru trashë’. Njëlloj siç është bërë e turpshme të turpërohesh. /Gazeta Liberale