Gazetar: Lluka Andreev
Rezoluta politike e miratuar nga Partia Popullore Evropiane, e cila së fundmi u mblodh në Roterdam, përplasi qeverinë dhe opozitën për bllokimin e integrimeve evropiane të Maqedonisë, shkruan Alsat.
Në Rezolutë thuhet se korniza negociuese për fillimin e negociatave për anëtarësim nuk është miratuar, pasi Shkupi nuk e ka zbatuar Marrëveshjen për fqinjësi të mirë me Bullgarinë. Në samitin e PPE-së, ku është anëtare edhe VMRO-DPMNE, mori pjesë edhe kryetari i partisë Hristijan Mickoski, ndërsa LSDM-ja akuzoi se nuk ka reaguar ndaj tekstit të Rezolutës, i cili pasqyronte pikëpamjet bullgare.
“Përderisa në vend bllokon çdo gjë që është në interes të qytetarëve, Hristijan Mickoski po i minon pozitat shtetërore jashtë shtetit. I bëjmë thirrje patriotit të rrejshëm Mickoskit, që të dalë para qytetarëve dhe të përgjigjet pse po ia bën këtë vendit të tij dhe popullit të tij?”, tha Darko Kaevski – zëdhënës i LSDM-së.
Rezoluta, e miratuar nga partitë më të mëdha të qendrës së djathtë të kontinentit, shton se pajtimi historik duhet të ndodhë në Maqedoni për shkak të ndarjeve midis grupeve etnike, veçanërisht me qytetarët me identitet bullgar.
VMRO-DPMNE-ja sot nuk u përgjigj konkretisht nëse kanë votuar për Rezolutën, por theksoi se LSDM po bën spin, për të mbuluar dështimet e diplomacisë.
“Qëndrimi i VMRO-DPMNE-së u shpreh qartë në Kongresin e PPE-së, se Maqedonia meriton fillimin e menjëhershëm të negociatave dhe se çështjet identitare nuk duhet të preken. LSDM, për shkak të shkurtpamësisë dhe ambicies së kryesisë së saj, i kënaqi ata që e mohojnë identitetin maqedonas. Në vend të vlerave evropiane dhe demokratike, LSDM-ja i futi në marrëveshjen kornizë çështjet historike dhe identitare, të cilat tani janë gur në qafën e shtetit”, njoftojnë nga VMRO-DPMNE.
Kryeministri Dimitar Kovaçevski, dje mohoi të ketë një draft dokument për kornizën negociuese, që përmban të gjitha kërkesat bullgare./Alsat.mk