Në vendin ku u parkua vetura e gazetarit të Metros, dikur kishin hyrë furishëm dhe me një qëllim krejt tjetër veturat policore serbe. Kërkonin Brahim Rexhepin. Pas 20 vitesh, edhe vetura e gazetarit u ndal buzë odës për të kërkuar atë. Fjalët e tij duhet të shkruheshin në disa rreshta të shkurtër e me sa më pak fjalë të mëdha, pasi pesha e rrëfimit linte në hije fjalën. Sytë do të rrëfenin edhe më mirë…
Në odën e ndërtuar pas luftës qëndron me orë të tëra Brahimi. Pret mysafirë me shumë gëzim e ndan momente pikëllimi. Ai ka humbur vëllanë dhe djalin para 20 vitesh në betejën e Likoshanit dhe Çirezit, që njihet si shkëmbimi i parë frontal i zjarrit me serbë.
“Ka qenë mizor shkau. Na i vrau e shkatërroi të gjitha. Paramendojeni, madje edhe macat që silleshin rreth shtëpive i kish vra”, i rrëfen Brahimi Gazetës Metro, si për të treguar që gjithçka në Çirez ishte shkrumbuar.
Rrënimi bizar i fundviteve të 90’ta nuk kishte rrënuar motivin për jetë të atyre që mbetën gjallë në Çirez. Brahimi së bashku me djem dhe nipa ka ndërtuar dy oda e shtëpi, ku pret e përcjell qindra mysafirë që nuk i lëshon pa bukë.
E kur përmend bukën, Brahimit që merr shkrepësen të ndez cigaren ‘West’ të futur në një kuti hekuri, i kujtohen sfidat për të ruajtur bukën në kohën e luftës. Ai tregon se si ishte ndërtuar një lloj bunkeri në oborrin e shtëpisë ku ishte ruajtur mielli për familjen dhe të strehuarit në shtëpinë e tij. Brahimi ndihet fatlum që lufta mbaroi në mars, pasi kishte droja.
“Veç edhe për dy javë kemi pas miell”, thotë ai, ndërkohë që në odën e tij nipat shtrojnë dy sofra me dy tepsi pite të shoqëruara me gjellë pasuli me mish të thatë. Edhe turrshitë e djathi ishin në anë të sofrës, për të treguar që të rënëve u është shpaguar sakrifica: familjarët e tyre dhe gjithë kosovarët po jetojnë të lirë me sofër plotë.
Zeqiri, i biri i Brahimit, që kishte ardhur pak minuta më herët nga puna, do të ulej në afërsi të oxhakut. Ai është i lindur për t’i bërë roje Adem Jasharit. Dikur kishte mbrojtur shtëpinë e tij në rrethimin e janarit, ndërkohë sot po shërbente si polic në fshatin ku hapi dhe mbylli sytë komandanti legjendar.
Ai nis të tregojë për luftën. Flet për axhën Rexhepin e vëllanë Beqirin. Për të dy këta kishte marr para pak ditësh dekoratat nga presidenti me urdhërin ‘Hero i Kosovës’.
Zeqiri kishte mbajtur kallashnikovin e zi që duket në incizime teksa e mban Adem Jashari. Atij i ishte besuar arma që komandanti e mbante mbi supe shumë kohë. Nuk janë të paktë plumbat që janë dalë nga tyta e asaj arme, sidomos në vendin ku u zhvillua beteja fyt për fyt “te Gjashtë Lisat”. Zeqa kujton momentin e rënies së axhës së tij pas sulmit të kryer ndaj një automjeti serb.
E kishte tërhequr për së shtriri. “Mos i lshoni armët, deri te i fundit”, kujton fjalët e axhës Rexhepit. Zeqa nuk e kishte lëshuar armën, e armët e të rënëve i kishin trashëguar Brahimi dhe Ahmeti. Zeqa vazhdon ta mbajë armën policore në brez. Tash për ta ruajtur shtetin për të cilin luftoi.
Përball dritareve që shohin nga rruga qëndronte një burrë me mustaqe gati ngjyrë të verdhë. Është Berati, djali i Beqirit. Ai teksa dëgjon rrëfimet për babain, sheh me sy e kthen në mend kujtimin për të atin që i doli përball për disa orë Serbisë, e cila kishte ardhur me autoblinda, tankse e dy helikopterë. Mustaqet si të babait, Berati i prek me dorë teksa dëgjon të tregohet për breshërinë e plumbave të shkrepur nga dora e të atit, mu në atë tokë nga i ka drejtuar sytë.
Ngjitur me të qëndron trashëgimtari i armës, Ahmeti. Ai erdhi së voni në odë i qullosur nga puna, por i palodhur të ndërrojë muhabetet dhe të shtojë elementet e betejës. Pas rënies së dy dëshmorëve, përveç Brahimit, kishte qenë ai që kishte rrokur armën. Për të duhet të ketë peshuar më rëndë, kur sapo fuste gishtin tek këmbëza do të kujtonte se aty gishtin kishte pasur edhe një burrë i madh që luftoi deri në frymën e fundit.
Kur në odë po kërcisnin gotat e çajit të zi e ndihej një zhurmë nga pastrimi i shpuzoreve të mbushura me filterë cigaresh, Zeqiri kujton një punë të rëndë për familjen e tij. Një barrë që të gjithë trimat nuk ia besonin dikujt tjetër.
Ai së bashku me të tjerët kishte ndihmuar të bartnin familjarë të fytyrave të njohura të asaj pjese, të cilët frikësoheshin nga ushtria serbe. Zeqa kishte hipur në traktor familjarë edhe të një tashmë deputeti, i cili kishte qenë pjesë e Shtabit të Përgjithshëm. Ai tregon se sa e rëndë ka qenë barra e përgjegjësisë për të bartur, strehuar, madje edhe shpëtuar, qindra civilë që iknin sepse u takonin familjeve të njerëzve që luftonin për liri.
“Tyta e shkolla shkojnë bashkë. Dikur tyta ia zë vendin asaj, por prapë shkolla e merr vendin e vet”, thotë më pas Brahimi teksa vendos gishtin e madh në mustaqet e bardha e pak të verdhuara nga nikotina.
Ai qet gishtin tregues në kokë dhe tregon se “pa shkollë s’ka kurrgjë”. Rrëfimet për pamundësinë e shkollimit të tyre nën Serbi, ai i kishte kthyer në motiv për të shkolluar nipat. Ragipi që është master i Shkencave të Sigurisë, tregon për familjarët e tjerë që i janë rrekur shkollës. Ata e shohin si amanet të heronjve të tyre, që Kosovën ta bëjnë shtet më të mirë duke u shkolluar.
Kur pranë oxhakut flet Zeqa me një ton burrëror por edhe sarkastik, buzën çon në gaz Muhameti, stërnipi i dëshmorit Rexhep Rexhepi. Ai përdor telefonin e tij të ri për të luajtur cilat lojë t’ia dojë qejfi. Për dallim nga të parët e tij që në kohë lufte u duhej të hiqnin të zitë e ullirit për të gjetur një lidhje kabllore, ai e ka gjithë botën në dorën e tij. Kur sheh fotografitë e të parëve të tij në një rehati të pashoqe, ai ndjenë aromën e lirisë mbështjellë me shije gjaku.
Zeqa që dorën e ka të vendosur mbi qerpiçët e vatrës së zjarrit, kujton ditën kur kishin dalë për të “mbjellë tërshërë”. Në fakt, s’ishte rend të mbjellurash, por ishin dalë të vrojtonin për të krijuar një mbrojtje për shokët që do t’iu bashkëngjiteshin në odë.
Ai tregon se kur kishin shkrepur armët, ata ishin nisur në befasi. Ashtu siç kishin qenë, të gjithë ishin lëshuar tek “Gjashtë Lisat”. Pasi mori plumbin Rexhepi, Zeqa tregon se nga këpucët kishin rënë disa kokrra tërshëre në tokën e betejës. “Pas një viti aty ka bie tërshëra”, thotë Zeqa, teksa një fije loti i vizatohet në kapakun e syrit, po pa fuqinë të lëshohet në faqe.
Njëlloj siç tërshëra biu në tokën e Likoshanit e Çirezit, edhe liria erdhi në pranverën e 1999’s në gjithë Kosovën, të cilët që nga 28 shkurti e deri më sot nderojnë të rënët në betejat më të njohura të Drenicës./gazetametro.net
(Këto janë rrëfimet e familjes Rexhepi nga Çirezi, që Kosovës ia dhanë dy dëshmorët e parë në luftën kundër Serbisë, Rexhep Rexhepin dhe Beqir Rexhepin. Ata dhe familja e tyre ishin luftëtarë që i kishin dalë krahë Adem Jasharit e kishin strehuar qindra njerëz të tjerë. Në nderim të veprës së tyre, presidenti Hashim Thaçi ka nderuar me urdhërin “Hero i Kosovës” të dy dëshmorët, Rexhep dhe Beqir Rexhepi).