Në një aksident trafiku që ndodhi një vit më parë në autostradën te Slavonski Brod në Kroaci, humbën jetën 10 persona dhe 45 të tjerë u lënduan në autobusin me targa të Kosovës.
Në autobus kishte 67 pasagjerë, përfshirë fëmijë dhe dy shoferë dhe se fatkeqësisht 9 pasagjerë dhe një shofer humbën jetën.
Autobusi ishte nisur nga Frankfurti i Gjermanisë drejt Prishtinës dhe i përkiste një kompanie nga Kosova. Ai ishte aksidentuar në autostradën A3 Zagreb – Lipovac.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, bashkë me disa prej ministrave ka vizituar disa nga të mbijetuarit në spitalet e Kroacisë, ndërsa ambasadori i Kosovës në Zagreb, Gëzim Kasapolli ka qenë paraprakisht në spitalin rajonal në Slavonski Brod.
Presidentja Vjosa Osmani, kishte shpallur ditë zie në Kosovë, për shkak të këtij aksidenti tragjik.
Sipas mediave kroate, shoferët e autobusit nga Kosova që po bartte mërgimtarë nga Frankfurti për në Prishtinë kishin pushuar në Bregana për gjysmë ore para aksidentit. Aty ata ishin ndërruar dhe drejtimin e autobusit e kishte marrë shoferi tjetër. Supozohet se aksidenti është shkaktuar nga lodhja e shoferit.
Ndryshe, ky ishte aksidenti më i madh tragjik në rrugët e Kroacisë në 15 vjetët e fundit.