Drejtoresha e Përgjithshme e “Focus Media News”, Dhurata Çupi, ka përcjellë një mesazh për qytetarët, një vit pas ngjarjes së 9 gushtit 2025, kur “News24” u përball me sulmin ndaj medias së lirë.
Çupi thekson se, pavarësisht presionit dhe vështirësive, televizioni nuk u tërhoq nga misioni i tij editorial, ndërsa veçon mbështetjen e qytetarëve si një prej faktorëve kryesorë që i dha forcë stafit për të vijuar punën.
“Në ditët më të vështira, ajo që na dha forcë ishin qytetarët”, shprehet Çupi, duke sjellë në vëmendje edhe mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë, delegacioneve të huaja dhe organizmave që ndoqën nga afër situatën e krijuar.
Sipas saj, një vit pas ngjarjes, “News24” vijon të jetë në këmbë dhe të bëjë gazetari profesionale, pa ndryshuar vijën e saj editoriale pavarësisht presioneve.
Çupi shprehet se besimi i publikut nuk mund të jepet apo të hiqet nga pushteti, por fitohet çdo ditë përmes punës dhe gazetarisë.
Mesazhi i plotë i Dhurata Çupit:
“Sot bëhet një vit.
Një vit nga ajo ditë kur dikush mendoi se mund të fikte News24. Se duke mbyllur dyer, duke ndërprerë një sinjal e duke ushtruar presion, mund të heshtte edhe zërin tonë.
Nuk e fsheh që ka qenë një vit i vështirë. Një vit me shumë presion, me shumë padrejtësi, me momente zemërimi e zhgënjimi. Por edhe një vit që na tregoi sa shumë vlen ajo që kemi ndërtuar dhe sa njerëz janë aty për ta mbrojtur.
Në ditët më të vështira, ajo që na dha forcë ishin qytetarët. Njerëzit që na ndalonin dhe na thoshin: ‘Po e sulmojnë News24’.
Njerëz që e ndienin këtë betejë edhe si të tyren, sepse e dinin se nuk bëhej fjalë vetëm për një televizion. Bëhej fjalë për të drejtën për të dëgjuar edhe atë që pushtetit nuk i pëlqen të dëgjohet.
Na dhanë forcë edhe ata që erdhën nga jashtë, delegacionet e huaja që vizituan studiot tona, raportet ku u pasqyrua ajo që po ndodhte, ftesat dhe takimet ku kuptuam se nuk ishim vetëm dhe se përpjekja për të heshtur një media të lirë nuk kalonte pa u vënë re.
Sot, pas një viti, e them me krenari: nuk u trembëm. Nuk u komprometuam. Nuk ndryshuam për t’i pëlqyer askujt. Nuk devijuam nga vija jonë editoriale, edhe kur çmimi për ta mbajtur atë ishte i lartë.
Dhe ndoshta pikërisht për këtë, sot News24 është më i fortë.
Më i fortë sepse kaloi një stuhi dhe qëndroi në këmbë. Më i fortë sepse besimin e qytetarëve nuk ta jep pushteti dhe as nuk ta heq dot pushteti. Ai fitohet çdo ditë.
Një vit më parë tentuan të na fiknin.
Sot jemi këtu. Me të njëjtin zë, me të njëjtën bindje dhe më shumë arsye për të mos heshtur.
Sepse fjala e lirë mund të sulmohet, por kur ka njerëz që besojnë tek ajo, nuk mund të shuhet.
The post Një vit nga sulmi ndaj “News24”/ “Qytetarët na dhanë forcë”, drejtoresha e “Focus Media News”, Dhurata Çupi: Nuk u trembëm dhe nuk u komprometuam. Fjala e lirë s’mund të shuhet appeared first on Gazeta Shqiptare Online.



