Nënsekretari amerikan i shtetit për çështje politike, David Hale do ta vizitojë në dy ditët e ardhshme Beogradin dhe Prishtinën.
Nënsekretari amerikan i shtetit për çështje politike, David Hale ka thënë se ka gjasa që gjatë këtij viti të arrihet një marrëveshje mes Beogradit dhe Prishtinës.
Ai ka theksuar se zgjidhja duhet të sjellë stabilitet të qëndrueshëm në rajon.
“Ekziston mundësia që gjatë këtij viti të arrihet një marrëveshje, por vetëm nëse fillimisht vazhdohet dialogu”, deklaroi Hale për të përditshmen serbe “Danas”, transmeton lajmi.net.
Hale, i njohur si “njeriu i Trumpit” ka shtuar se: “SHBA-të nuk do të japin recetë për zgjidhje. Besoj se ajo duhet të jetë e pranueshme për Kosovën dhe Serbinë duke sjellë stabilitet të qëndrueshëm në rajon”.
Ai po ashtu ka bërë thirrje për heqjen e taksës nga Prishtina për mallrat serbe.
Hale ka shfaqur mbështetjen e SHBA-ve për rrugën e integrimeve evropiane të Serbisë.
Ai do të qëndrojë për vizitë në Beograd të premten më 8 mars kurse një ditë më vonë do të mbërrijë për vizitë në Kosovë për të kërkuar arritjen e marrëveshjes me Serbinë.