E shtune, 12 Nentor 2016 – Sakte.net /
Simpatizimi i zonjës Clinton nga shqiptarët asnjëherë nuk ishte parë si kundërshtim i ndonjë kandidati tjetër për president të SHBA-së, por në funksion të sigurisë se aleanca shqiptaro-amerikane do të vazhdonte pa ndonjë trandje. Tash, kur dikush tjetër është vënë në krye të SHBA-së, e tëra që duhet bërë është që të përvilen mëngët dhe të punohet për të arritur marrëdhënie të përafërt edhe me administratën e zotit Trump. E bëmë një herë, mund ta bëjmë sërish. Me punë!.
DONALD TRUMP, jo vetëm se i fitoi zgjedhjet, por kjo lehtësisht mund të cilësohet si fitorja më e madhe që një kandidat për Shtëpinë e Bardhë ka shënuar në gjithë historinë amerikane.
Ai është i pari kandidat, i cili nuk ka mbajtur asnjëherë një post publik dhe përnjëherë fiton garën më të rëndësishme politike botërore – atë për udhëheqjen e shtetit lider të Botës së Lirë.
Dhe këtë – paramendojeni! – duke ofenduar kategoritë më të mëdha shoqërore, duke i pasur kundër të gjitha shtetet aleate të SHBA-së dhe duke pasur përkrahje nga Federata Ruse, gjë që në vetvete do të duhej të nënkuptonte lëndueshmëri.
Jo vetëm kaq, kurrë më shumë persona publikë – shkrimtarë, artistë, filozofë, këngëtarë – s’kanë qenë kundër një kandidati dhe kurrë më shumë s’ka pasur tallje në media për të.
Si dhe: me asnjë sondazh serioz që e parashihte si fitues.
Duke pasur të gjitha këto parasysh, Donald Trumpi ia doli të ishte përzgjedhja e shumicës nga 124 milionë amerikanët që votuan këtë të martë.
Miliarderi Trump është përzgjedhja e popullit amerikan.
A është më i miri për amerikanët?
Besoj se deri më tash ka pasur shumë analiza orientuese.
A është më i përshtatshmi për ne të tjerët?
Kjo më fare nuk ka rëndësi.
E rëndësishme është që amerikanët në këtë moment të pikërishëm historik kanë vendosur që zoti Trump është personi që duhet t’i udhëheqë.
Dhe këtë duhet respektuar. Të gjithë!
RESPEKTI PA EKUIVOKE i përzgjedhjes amerikane do të duhej të vlente sidomos për popujt e shtetet që në SHBA-në e amerikanët shohin aleatët kryesorë. Këta në radhë të parë jemi ne, shqiptarët, në radhë të parë janë shtetet si Kosova e Shqipëria.
Është e vërtetë, shqiptarët, përgjithësisht, dëshironin fitoren e zonjës Hillary Clinton. Arsyet për këto janë të shumta – kryesorja: ajo dhe bashkëshorti Bill paraqesin çiftin më me ndikim për kthimin për të mbarë të fatit të shqiptarëve së paku në dhjetëra vitet e fundit.
Fitorja e dëshiruar e zonjës Clinton asnjëherë nuk ishte parë si kundërshtim i ndonjë kandidati tjetër për president të SHBA-së, siç mund të jetë kësaj radhe Trumpi. Simpatizimi i zonjës Clinton ishte në funksion të sigurisë se aleanca e shqiptarëve me SHBA-në – për shkak të përfshirjes personale të çiftit Clinton – do të vazhdonte pa ndonjë trandje si edhe më parë. Pra, kuptohej si aleancë ndërmjet popujve, për qëllime të përbashkëta, e jo ndërmjet politikanëve të caktuar në pozita të caktuara.
Tash, kur dikush tjetër është vënë në krye të SHBA-së, e tëra që duhet bërë është që të përvilen mëngët dhe të punohet për të arritur marrëdhënie të përafërt edhe me administratën e zotit Trump.
AJO QË U BË aleancë e shqiptarëve me SHBA-në, natyrisht, nuk ka pikur nga qielli në një ditë të bukur. Washingtoni, Prishtina e Tirana u gjetën në linjë të njëjtë të interesave, si dhe u arrit falë përkushtimit vetëmohues dhe organizimit të shqiptarëve në lobim për çështjen.
Po të ishte sot zonja Clinton një presidente amerikane, kjo marrëdhënie do të ishte vetëm edhe një episod i radhës në një serial të njohur tashmë.
Me zotin Trump, i cili nuk është dalluar për ndonjë përkushtim të veçantë për shqiptarët ose Ballkanin deri më tash, duhet nisur thuaja nga fillimi. Trumpi dhe ekipi i tij nuk na njohin as përafërsisht siç na kanë njohur Clintonët. Mirëpo, s’ka asgjë të gatshme të servuar në pjatë. Nuk do të jetë e lehtë, por nuk ka qenë e lehtë as herën e parë kur është futur në agjendën amerikane çështja shqiptare.
Si fillim, me urgjencë duhet rifunksionalizuar grupet lobuese të shqiptarëve në SHBA, të zhvlerësuara e anashkaluara aq shumë viteve të fundit.
Tjetra, është që si Kosova, ashtu edhe Shqipëria, duhet vazhduar të punojnë edhe më me përkushtim për zhvillimin e brendshëm në të gjitha sferat. Ideja se gjithmonë do të shkojë lehtë për ne, se kemi disa miq të fortë në shtete të fuqishme, siç u pa, mund të shkërmoqet brenda natës.
PËR FUND, në një stad më relaksues – meqë aq shumë e përkrahnim zonjën Clinton, sepse vlerësonim se do të ishte shumë më lehtë për ne, por nuk na doli ashtu – mbase na ndihmon nëse bëhemi pak besëtytë.
Të kujtojmë se ne një herë ishim për Bob Dole. Fitoi George Bush. Na doli shumë mirë. (Vija e kuqe)
Shqiptarët pastaj ishin për George Bushin. Fitoi Bill Clintoni. Na doli edhe më mirë. (NATO/Çlirimi)
Shqiptarët ishin me Al Gore. Fitoi George W. Bushi. S’ka më mirë. (Pavarësia)
Shqiptarët kësaj radhe ishin me Hillary Clintonin. Fitoi Donald Trumpi. S’ka qare pa u bërë mirë! (OKB-ja)
I bie: Ne për ne mund ta kishim gabim, por amerikanët për ne – jo!