Si ngeci Rama mbi një hu

Autor: Armand Shkullaku

“Po kërceve hu më hu, njëherë do të të ngulet nga pas”, thotë një shprehje popullore. Kryeministri ka kohë që e bën këtë kërcim akrobatik në politikën e jashtme dhe tani e shohim të ngulur mbi një hu. Dhe çfarë huri! Atë që e kërkoi vetë muaj më parë në SHBA dhe, që tani, ngado që ta lëvizësh i shkakton dhimbje. Një dhimbje që asnjë qetësues, (as opozita, as Kosova, as kandidati dhe jo presidenti, as ç’kanë thënë të tjerët për Trump), nuk e qetëson dot.

Kryeministri shqiptar ka regjistruar plot befasi në politikën e jashtme, nga vëllazërimi me Erdoganin e deri te vënia e “kufirit te thana” Greqisë, por përfshirja e tij brutale në fushatën në SHBA dhe deklaratat eksplicite kundër kandidatit republikan, shënuan një kulm.

Ky kulm nuk kishte të bënte thjesht me faktin se flitej për Amerikën dhe për kandidatin për postin më të pushtetshëm të globit. Sot, ndërsa Trump është zgjedhur president, reagimi ndaj Ramës nuk ndizet vetëm sepse ai pranoi të përdorej për të siguruar një takim me Obamën, i cili ia kishte hequr vështrimin që pas refuzimit të armëve kimike të Sirisë. Kryqëzimi që i bëhet Ramës, nuk provokohet më shumë as sepse ai përdori një mandat që i kanë dhënë shqiptarët për të përmbushur delire personale e favore politike nga lobistët në Uashington. Kjo nuk është diçka e re për kryeministrin artist.

Problemi që ka ra Rama sot, ka të bëjë me faktin se përballja me një çështje kaq të madhe botërore dhe me një vend si SHBA, zmadhon njëkohësisht hipokrizinë dhe sharlatanizmin provincial të kryeministrit në sytë e shqiptarëve. Ajo që mund të dyshohej, që hante diskutim apo krijonte dilema në shumë çështje të tjera si raportet me Beogradin, Prishtinën apo Athinën, në rastin Rama-Trump nuk lë asnjë mëdyshje.

Ky rast është një ilustrim i pastër dhe i dukshëm prej së largu, se politika e jashtme e kryeministrit shqiptar lëviz në dy shtylla kryesore, nevojat e ngushta për pushtet dhe përmbushja e delirit të liderit që, vendi të cilin përfaqëson, i rri ngushtë për shtatin e tij.  Çdo shqiptar është i bindur sot se kryeministri i bëri deklaratat implikuese për Shqipërinë, jo sepse besonte vërtet se Trump përbënte një kërcënim apo se bindjet e tij nuk përputheshin me ato të tijat, por sepse kërkonte të arrinte një favor personal për të shkelur në zyrën ovale dhe të mahniste amerikanët e botën me gjykimin e tij të lartë si intelektual për “fatkeqësinë Trump”.

E pikërisht këtu ngeci kërcimi i Ramës mbi hunjtë e politikës së jashtme. Pas fitores së Trump, shqiptarët nuk e panë liderin e tyre global t’u qëndronte deklarimeve të tij. Që pavarësisht fituesit, të deklaronte se tashmë marrëdhëniet me SHBA duhen rishikuar nën dritën e kërcënimit të një presidenti ekstremist, ksenofob, antimysliman. Se ai, kryeministri i Shqipërisë, distancohej nga turpi që amerikanët i bënë vetes dhe botës e se shqiptarët do të duhen tashmë të përballen me një fatkeqësi edhe për ta.

Ndodhi ajo që pritej dhe të gjithë panë një Edi Ramë të ngulur në hurin e gafave të tij, që nisi ritualin turpërues të justifikimeve. Se ai nuk e kishte patur me Trumpin por me deklaratat e tij, se nuk e kishte me presidentin por me kandidatin, se fajin e kishte opozita dhe mediat, se Trumpin e kishin kritikuar edhe liderë të tjerë botërorë…

Por Rama këtë do të duhet të ngulë mirë në kokë. Ai nuk është si liderët e tjerë botërorë. Sepse ai nuk e përdor politikën e jashtme sipas interesave të vendit të tij, por si aksesor të luftës për pushtet dhe si kompensim të egos së intelektualit të dështuar. Sepse ai nuk është kundër Trumpit për shkak të parimeve të majta, solidaritetit, barazisë dhe mosdiskriminimit, por thjesht sepse iu desh të jetë i tillë në një moment të dhënë.

Nëse do të kishte patur bindje apo parime të tijat, shqiptarët sigurisht do ta kishin kuptuar, edhe nëse do të mbante një qëndrim të fortë kritik ndaj Donald Trump. Mund ta kundërshtonin por nuk do ta nënvlerësonin si një politikan që nuk është në gjendje t’u dalë për zot qëndrimeve të veta. Por Rama nuk është një Cipras, nuk është as demokrat e as republikan, është thjesht një politikan pa din e pa iman, një njeri që nuk ka bindje për asgjë. Kushdo që dyshonte për të kundërtën, rasti Trump e ka lënë pa tekst.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme