Noteres Sanja Telhallari i sekuestrohen18 asete me vlerë 3 milionë euro me burime të dyshuara kriminale.
Asetet e sekuestruara përfshijnë 13 pasuri të paluajtshme, me vlera të larta monetare, dhe 5 llogari bankare, që dyshohet se 35-vjeçarja Telhallari i ka përfituar gjatë kryerjes së detyrës si notere.
Nga hetimet e organit të akuzës ka rezultuar se gjatë periudhës 2013–2024, noterja Sanja Telhallari ka kryer një numër të konsiderueshëm transaksionesh për blerjen e pasurive të paluajtshme, përfshirë apartamente, dyqane, poste parkimi dhe një vilë në kompleksin “Rolling Hills”.
“Kjo shtetase ka investuar në pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme, kryesisht në makina luksoze dhe sende me vlerë të cilat nuk justifikohen nga pikëpamja ekonomike me të ardhurat nga aktiviteti i saj si notere”, informon Prokuroria Tiranë.
Nga verifikimet, organi i akuzës njofton u konstatua një mospërputhje e dukshme midis të ardhurave të ligjshme të deklaruara dhe shpenzimeve të kryera për këto investime.
Dyshohet se një pjesë e fondeve të përdorura për blerjen e pasurive kanë ardhur nga ish-bashkëshorti i saj, shtetasi me iniciale K.P., i cili është shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane dhe është dënuar për vepra të rënda penale, përfshirë veprën penale të “Shfrytëzimit të prostitucionit”, me një dënim maksimal deri në 21 vjet burgim.
NJOFTIMI I POLICISE
Tiranë- Sekuestrohen 18 asete me vlerë 3 milionë euro, me burime të dyshuara kriminale, që dyshohet se i ka përfituar një 35-vjeçare Sanja Telhallari , gjatë kryerjes së detyrës si notere
Asetet e sekuestruara: 13 pasuri të paluajtshme dhe 5 llogari bankare.
Paralelisht po kryhen veprime hetimore dhe procedurale, për të gjurmuar dhe sekuestruar pasuri të tjera të 35-vjeçares, me burime të dyshimta, si dhe për të dokumentuar me prova ligjore burimin e të ardhurave të kësaj shtetaseje.
Në kuadër të një procedimi penal, të iniciuar në Prokurorinë e Tiranës, me objekt gjurmimin e aseteve kriminale, të dyshuara të përfituara nga shtetasja S. T., 35 vjeçe, banuese në Tiranë, gjatë kryerjes së detyrës si notere, Seksioni për Hetimin e Pastrimit të Parave dhe Aseteve Kriminale finalizoi operacionin “Nënshkrimi”.
Në vijim të veprimeve procedurale, të kryera në kuadër të këtij procedimi, u ekzekutua vendimi i Gjykatës së Tiranës, për ekzekutimin e 18 pasurive të 35-vjeçares, me vlerë 3 milionë euro, konkretisht 13 pasuri të paluajtshme dhe 5 llogari bankare.
Hetimet dhe veprimet operacionale, vijojnë.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.




