Nuhi Bytyçi konfirmon ftesën e Speciales

Ish-gazetari, Nuhi Bytyçi, është deklaruar rreth ftesës së Gjykatës Speciale.

Lajmi.net, gjatë ditës së sotme ka raportuar se ditë më parë, ish-gazetari, Nuhi Bytyçi, është ftuar nga Gjykata Speciale, në cilësinë e dëshmitarit.

Pavarësisht insistimeve të lajmi.net, Bytyçi, nuk është deklaruar mirëpo, ai para pak minutash ka lëshuar një deklaratë zyrtare në lidhje me këtë.

Përmes kësaj deklarate, Bytyçi, ka mohuar se ka marrë ndonjë ftesë zyrtyare me shkrim nga Gjykata Speciale, por, që siç u shpreh ai, ditë më parë ka marrë vetëm një telefonatë nga përfaqësuesit e kësaj gjykate dhe asgjë më shumë, shkruan më tutje lajmi.net.

“Ditë më parë jam kontaktuar në telefon nga përfaqësues të kësaj gjykate të lartpërmendur. Edhe pas kërkesës sime, përfaqësuesit e Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar të Kosovës nuk më kanë informuar se në çfarë cilësie më kanë kontaktuar mua”, thuhet në deklaratën e Bytyçit.

Tutje, në këtë deklaratë thuhet se, Bytyçi, iu ka kërkuar zyrtarëve të Gjykatës Speciale, që për çdo kërkesë të tyre drejtuar atij, ta njoftojnë zyrtarisht me shkrim.

“Në të njëjtën kohë, kam shprehur gatishmërinë për të thënë të vërtetën e veprimtarisë sime gjatë luftës çlirimtare të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, thuhet më tej në deklaratë.

Deklarata e plotë e Nuhi Bytyçit:

Njoftoj opinionin publik se unë nuk kam marrë asnjë ftesë zyrtare me shkrim nga Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar të Kosovës.

Momentalisht gjendem në një turne të promovimit të librit tim, “Librit të luftës”, që më është organizuar në Zvicër, në Austri dhe në Slloveni.

Ditë më parë jam kontaktuar në telefon nga përfaqësues të kësaj gjykate të lartpërmendur.

Edhe pas kërkesës sime, përfaqësuesit e Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar të Kosovës nuk më kanë informuar se në çfarë cilësie më kanë kontaktuar mua.

Kam kërkuar nga ta që për çdo kërkesë të tyre drejtuar meje të informohem zyrtarisht me shkrim.

Në të njejtën kohë, kam shprehur gatishmërinë për të thënë të vërtetën e veprimtarisë sime gjatë luftës çlirimtare të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Si gazetar dhe si qytetar i Republikës së Kosovës, unë ndihem krenar me veprimtarinë time në shërbim të informimit të mirëfilltë për luftën e drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Lufta çlirimtare e viteve 1998 dhe 1999 simbolizon sakrificën sublime dhe mbijetesën e popullit të Kosovës, dhe është lufta vendimtare që bëri të mundur çlirimin dhe pavarësimin e Kosovës.

Prandaj, edhe njëherë e potencoj se unë jam i gatshëm që në çdo kohë dhe në mënyrë të hapur të dëshmoj për sakrificën dhe mbijetësën e popullit të Kosovës, të cilën unë dhe shumë kolegë të mi gazetarë e kemi prezentuar në mënyrë profesionale në ekranet televizive në mediat vendore dhe ato ndërkombëtare.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme