“Nuk arriti kurrë”/ Akil Pano rrëfen humbjen e babait të tij. Do nisej për në Greqi dhe…

Në programin “Dola te Ola” këtë të diel ishte i ftuar pastor Akil Pano, i cili rrugëtoi nëpër kujtime dhe rrëfeu si asnjëherë më parë historinë e jetës së tij. Një histori sa e trishtë, po aq emocionuese.


Pastor Akil Pano tregoi se prindërit e tij ishin dashuruar në fillim të viteve ’60, por nuk kishin patur miratimin e familjeve, veçanërisht nga familja e mamasë së tij, për shkak të besimit të ndryshëm. Ai zbuloi se pas pengesave të shumta dashuria e tyre arriti të triumfojë. Akil Pano tha se ka patur një lidhje shumë të ngushtë me babanë e tij, një raport miqësor i cili vinte edhe nga fakti se pastori ishte një djalë që nuk i kishte sjellë kurrë shqetësime familjes.

Pastori rrëfeu se i ati humbi jetën në moshën 49-vjeçare. Ai tha se në dhjetor të vitit ‘91, kur ai ende nuk kishte bërë 18 vjeç, babai i tij do të ikte për në Greqi. Pastori e kujtoi atë moment si të vështirë pasi ishte hera e parë që një njeri i afërt nga familja do të largohej.

Mes emocionesh pastor Akili tregoi se teksa prisnin autobusin në qendër të Tiranës që i ati të nisej, ky i fundit rrëzohet në tokë dhe nuk reagonte, pasi kishte pësuar infarkt. “Shumë njerëz vinin për të parë se ç’kishte ndodhur”, tha ai. I riu vrapoi tek ambulanca aty pranë dhe kthehet për tek i ati me shpresën se ai do të zgjohet.

“Unë hipa në ambulancë, ndërkohë nga xhami i derës shoh që njerëzit të cilët ishin mbledhur rreth tim ati, nxitonin drejt ‘autobusit të ëndrrave’ pasi kishte mbërritur, ndërsa babai im nuk mundi ta arrinte”, tha ai.

Pastori rrëfeu se teksa doktori kujdesej për babanë e tij, ai dëgjoi një zë të brendshëm, i cili i tha: “Babai yt ka vdekur. Çfarë do të bësh tani”, ndërkohë që përgjigjja e pastorit ishte “Zot nuk të fajësoj ty për çfarë po ndodh, por tani unë dorëzohem te ty. Tani të besoj ty plotësisht”.

Ky ishte momenti kur filloi edhe lidhja e vërtetë e pastor Akil Panos me besimin. Ai tha se nisi të qajë pasi kishte emocione të cilat nuk i kishte përjetuar më parë. Kur ambulanca mbërriti në spital, dhe për babanë e tij nuk mund të bëhej asgjë, ai duhet të kujdesej për të gjitha, duke filluar nga lajmërimi i familjarëve dhe të afërmve, të cilët e dinin se babai i tij ishte nisur për në Greqi.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme