Administrata e Shteteve të Bashkuara të Amerikës nuk do i ndalë përpjekjet për arritjen e një marrëveshjeje edhe pa Hashim Thaçin.
Një burim i afërt me zhvillimet i ka thënë gazetës KOHA DITORE se emisari i presidentit Trump, Richard Grenell, së shpejti do ta caktojë datën e takimit në Shtëpinë e Bardhë, pas dështimit të atij më 27 qershor.
Për amerikanët nuk paraqet problem ndryshimi i negociatorëve dhe mungesa e Thaçit. Por, siç mëson gazeta, nëse dështon arritja e një marrëveshjeje gjatë korrikut, në administratën e Trumpit mund të bjerë entuziazmi për tentativa të tjera, edhe për shkakun se në nëntor mbahen zgjedhjet presidenciale.
Por Dick Custin, i cili është zëdhënës i ambasadorit Grenell, ka deklaruar se aktualisht nuk kanë një datë për takimin mes palëve.
Publikimi i aktakuzës ndaj presidentit Thaçi e dështoi takimin e planifikuar të mbahej në Shtëpinë e Bardhë më 27 qershor. Pas presidentit, i cili e njoftoi emisarin amerikan Richard Grenell se nuk do jetë pjesë e takimit, pjesëmarrjen e anuloi edhe kryeministri Avdullah Hoti me arsyetimin se i duhet ta menaxhojë situatën në vend pas njoftimit se të akuzuarit e parë mund të jenë Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli. Hoti planifikonte të udhëtonte për në SHBA pas vizitës së parë zyrtare në Bruksel.
© SYRI.net