Duke iu referuar bazave ligjore dhe përvojave të mëparshme të ngjashme, analistët në Kosovë, por edhe përfaqësuesit e shoqërisë civile nuk besojnë se ish-kryeministri dhe ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Ramush Haradinaj, mund të ekstradohet në Serbi.
Azem Vllasi, avokat dhe njohës i rrethanave politike në rajon, në një prononcim për Anadolu Agency (AA) ka shprehur mendimin se ndalimi i Haradinajt nga autoritetet franceze, me një urdhërarrest të Serbisë është një provë tjetër e arrogancës dhe një provokim i qartë i Serbisë. Ai theksoi se nuk ka baza juridike që Haradinaj të ekstradohet në Serbi. Vllasi vuri në dukje se të gjitha provat dhe dëshmitë që eventualisht i ka pasur Serbia, ia ka dorëzuar Tribunalit të Hagës deri në vitin 2004, në bazë të së cilave në vitin 2005 është ngritur aktakuza kundër Haradinajt. Ai rikujtoi se në bazë të tyre, pas dy proceseve gjyqësore në Tribunalin e Hagës, Haradinaj ishte liruar.
“Thëniet se ka prova të reja janë një gënjeshtër e pastër, sepse ata nuk mund të kenë prova të reja për vitin 1999, meqë provat e fundit janë dorëzuar deri në vitin 2004. E dyta, sipas Rezolutës 1244 Serbia nuk ka kurrfarë juridiksioni në Kosovë, e cila nënkupton që nuk ka as mbi qytetarët e Kosovës”, deklaroi Vllasi.
Ai po ashtu theksoi se nëse Serbia eventualisht do të kishte prova të reja, ato do të mund t’i dërgonte nëpërmjet BE-së, pra Misionit Evropian për Sundimin e Ligjit (EULEX), i cili merret me raste të tilla, dhe i cili tashmë ka proceduar disa raste nga koha e luftës ndaj disa të ish-komandantëve të UÇK-së. Ai vlerëson se akuzat dhe pretendime e tilla të Serbisë për gjykimin e qytetarëve të Kosovës për vepra të kryera para dhe pas luftës në Kosovë do të jenë një pengesë e përhershme për normalizimin e marrëdhënieve mes Prishtinës dhe Beogradit.
As Bekim Blakaj nga Fondi për të Drejtën Humanitare Kosovë nuk beson se mund të shkojë gjendja deri në ekstradimin e Haradinajt. Në një prononcim për AA, Blakaj theksoi se nëse shikohet edhe në rastet e mëparshme, si në ndalimin e Haradinajt në Slloveni dhe në arrestimin e komandantit të forcave boshnjake në Srebrenicë, Naser Oriç në Zvicër, shihet se nuk ka ndodhur ekstradimi në Serbi.
Ai vuri në dukje se akuzat e Serbisë për krime lufte janë të vjetra më shumë se dhjetë vite dhe se duhet të tërhiqen, posaçërisht tani kur fillon punën Gjykata Speciale për krime lufte në Kosovë. Nëse Serbia është e interesuar për të drejtat e viktimave të luftës, e që sipas tij “edhe duhet me qenë e interesuar”, Blakaj theksoi se për këtë Serbia duhet të gjejë një mënyrë tjetër, e cila mund të ndodhë përmes dialogut të Brukselit dhe bashkëpunimit me sistemin e drejtësisë në Kosovë.
“Kosova tani ka një Prokurori Speciale për krime lufte dhe tashmë ajo ka ngritur disa aktakuza dhe ka nisur disa gjykime. Për këtë arsye mendoj që vetëm përmes bashkëpunimit me sistemin gjyqësor të Kosovës dhe me Gjykatën Speciale mund të dorëzohen dëshmitë të cilat i posedon Gjykata Speciale e Serbisë. Vetëm në këtë mënyrë mund të arrihet drejtësia për viktimat e krimeve të luftës”, tha Blakaj.
Ai po ashtu theksoi se Serbia nuk duhet vetëm të dorëzojë dëshmi, por edhe duhet të pranojë dëshmitë prej shteteve tjera, sepse sipas tij edhe në Kosovë janë mbledhur dëshmi të shumta për krime të luftës të kryera nga personat që jetojnë në Serbi. Meqë ata nuk jetojnë në Kosovë, Blakaj u shpreh se as aktakuzat nuk mund të ngriten në Kosovë. Sipas mendimit të tij, bashkëpunimi rajonal në fushën e drejtësisë duhet të jetë çelësi i ndjekjeve penale për kriminelët e luftës nga të gjitha vendet e rajonit.
Ish-kryeministri i Kosovës dhe ish-udhëheqësi i UÇK-së, Ramush Haradinaj, i cili aktualisht është kryetar i AAK-së, më 4 janar u ndalua nga autoritetet franceze bazuar në bazë të një urdhërarrest të Serbisë të lëshuar në vitin 2004. Ndërkaq, më 12 Janar ai u lirua me kusht nga autoritetet franceze, ku Gjykata e Apelit në Colmar deklaroi se janë në pritje të dokumenteve të nevojshme nga qeveria e Serbisë. Gjatë kësaj periudhe Haradinaj do të jetë nën mbikëqyrje gjyqësore dhe në bazë të lirimit me kusht, ai është i detyruar të paraqitet dy herë në javë tek policia franceze dhe i kufizohet ardhja e tij në Kosovë. Haradinaj edhe në vitin 2015 ishte arrestuar në Slloveni dhe më pas ishte liruar.