Nuk zbatohet Rezoluta e Kuvendit, muri nuk rrënohet

Megjithëse Rezoluta e Kuvendit parasheh që 31 janari të jetë data e fundit kur muri në veri të rrënohet, një gjë e tillë nuk ka ndodhur. Muri vazhdon të qëndrojë aty ku edhe u ngrit.

Megjithëse Rezoluta e Kuvendit parasheh që 31 janari të jetë data e fundit kur muri në veri të rrënohet, një gjë e tillë nuk ka ndodhur. Muri vazhdon të qëndrojë aty ku edhe u ngrit. E institucionet vazhdojnë të mos e respektojnë Rezolutën e cila u iniciua nga Pal Lekaj, dhe e cila u votua nga deputetët në Kuvendin e Kosovës, transmeton kp. Kjo Rezolutë, i obligon institucionet e vendit, që ta rrënojnë murin e ngritur në veri gjatë muajit janar.

Shqipe Pantina nga Vetëvendosje thotë se duhet të bie kjo Qeveri, e cila s’ka gatishmëri për ta rrënuar murin ilegal të ngritur në veri.

“Ne si parti opozitare, kemi insistuar duke parë që nuk ka gatishmëri nga ana e institucioneve të vendit, për t’iu përmbajtur Rezolutës për rrëzimin e murit brenda muajit janar, kemi kërkuar që të mbahet dhe një seancë tjetër, e ku do të diskutohej dialogu. Sepse ndërtimi i këtij muri, si dhe ngjarjet e tjera që kanë ndodhur kohëve të fundit, siç është tentimi që të futet ilegalisht treni nga Serbia, ose arrestimi i z. Haradinaj e kanë bërë tashmë të pakuptimtë gjithë dialogun me Serbinë, i cili sipas nesh duhet komplet të rishikohet dhe të hartohet një strategji nacionale se si të vazhdohet më tutje. Shihet që institucionet tona, nuk kanë gatishmëri si dhe në shumë raste të tjera, për të zbatuar rezolutën e Kuvendit, gjegjësisht për të mbrojtur dhe ruajtur sovranitetin e vendit. Dhe tentojnë të vazhdojnë avazin e njëjtë të bisedimeve, pa asnjë agjendë të qartë , se çfarë përfitojmë ne si Kosovë në këtë rast, por për të marrë sa më shumë poenë për vete, poenë politikë duke dalë para popullit duke thënë se ne e ndalem trenin, ose ne do ta rrezojmë murin. Ndërsa para bashkësisë ndërkombëtare, duke u paraqitur si engjëj paqe, që në të vërtetë nuk janë aspak”, tha Pantina.

E për Ahmet Isufin nga AAK –ja mbetet e pakuptimtë se si kjo Qeveri vazhdon të tallet me Rezolutat, të cilat miratohen në Kuvend, siç është dhe Rezoluta për rrënimin e murit.
“Vërtetë është e pakuptueshme, se si të gjitha rezolutat që janë aprovuar në parlamentin e Kosovës, janë neglizhuar nga Qeveria dhe nuk janë përfillur. Madje edhe janë tallur me këto veprime të parlamentit. Gjë që në një shtet demokratik do të ndodhte e kundërta. Do të jepte dorëheqje qeveria dhe do të bëheshin zgjedhjet e parakohshme, në mënyrë që të kemi një përgjegjësi të lartë shtetërore”, tha ai.

Ndërsa thotë se Kosova ka një pushtet autoritar, i cili nuk përfill aspak zërin e deputetëve.
“Edhe ky është një nga argumentet që Qeveria po dikton agjendën e Parlamentit. Sepse në vend që të bëjë kontroll demokratik Parlamenti mbi Qeverinë, këtu e kemi të kundërtën. Prandaj kemi një pushtet autoritar, i cili nuk përfill zërin e deputetëve, si përfaqësues të popullit të Kosovës, por e ka agjendën e vet të obliguar nga të tjerët, e sidomos nga ata që janë kundërshtar të interesave të Kosovës…Ky mur s’është dashur të vihet fare, ose në nisje është dashur të ndalohet. Por jo transparenca e Qeverisë ka treguar që kemi të bëjmë me autoritete të pa përgjegjshme të vendit, që i kanë shkaktuar dëm Kosovës me bisedimet me palën serbe….Kjo qeveri sa më shpejtë duhet të shkojë që t’i lëshohet rruga një Qeverie dhe një parlamenti, i cili është i përgjegjshëm për rolin që ka”, tha ai.

Por, mos veprimin e institucioneve të Kosovës, të cilat obligohen nga rezoluta, që ta rrënojnë murin në veri brenda janarit, e arsyeton deputetja nga radhët e LDK-së Besa Gaxherri. Ajo tha se nuk është e nevojshme që të bëhet presion, pasi që muri do të rrezohet. Sipas saj nuk është me rëndësi afati për rrëzimin e murit, por gjetja e kohës së përshtatshme, atëherë kur nuk paraqet ndonjë rrezik apo cenon sigurinë e vendit.

“Ne kemi pasur një seancë. E kemi bërë një Rezolutë dhe institucionet të cilat kanë përgjegjësi me ekzekutuar këtë Rezolutë, për atë mur e kanë marrë përgjegjësinë. Ne nuk kemi nevojë me ba presion, duke e pasur parasysh rëndësinë politike e të sigurisë që ka ky mur. Por ne jemi shumë të bindur që ai mur do të hiqet aty, sepse është i jashtëligjshëm. Dhe nuk e kemi asgjë për ngut, që me ba presion që me shkaktuar ndonjë rrezik apo ndonjë problem për vendin.. Hiq nuk ka rëndësi për afatin. Ai muri do të hiqet, atëherë kur është më së miri. Atëherë kur nuk shkakton asnjë rrezik, asnjë skandal apo prishjen e sigurisë në vend. Muri do të hiqet e dimë të gjithë, të gjitha palët e dinë që do të hiqet dhe ne do ta heqim atëherë kur është më së miri”, tha ajo.
Muri matanë urës së Ibrit është ndërtuar nga komuna e Mitrovicës veriore ndërsa në Kuvend është miratuar një Rezolutë me anë së cilës parashihet që ai të rrënohet brenda muajit janar

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme