Maqedonia mund të dalë nga kriza vetëm nëse kemi një tranzicion paqësor të pushtetit tek mazhoranca e re e formuar mes LSDM-së dhe partive shqiptare që kanë shumicën e qartë në parlament si dhe ndërmarrjen e atyre reformave të dyfishta, thotw analisti shqiptar për Tetovasot, Adri Nurellari.
“Nga njëra anë përmbushin kërkesat e shqiptarëve që kanë ngelur pezull pa plotësuar prej Marrëveshjes së Ohrit duke iu dhënë shqiptarëve peshën politike, ekonomike e sociale që iu takon të kenë dhe duke eliminuar kështu njëherë e mirë arsyet apo motivet e tensioneve ndër-etnike. Nga ana tjetër duke ndërmarrë ato reforma që sjellin sundimin e ligjit, demokratizimin e vendit dhe depolitizimin e administratës duke zhbllokimin kështu njëherë e mirë procesin e integrimit Euro-Atlantik.
Faktori politik shqiptar në këtë situatë duhet të jetë sa më i bashkuar dhe I matur në veprime duke parandaluar e shmangur me çdo kusht veprimet impulsive, tensionet ndëretnike apo përshkallëzimin e dhunës. Po ashtu është e domosdoshme që të konsultohet për çdo veprim me partnerët perëndimorë dhe me qeveritë e Prishtinës dhe Tiranës për të bërë mandej veprime sa më pjekura e largpamëse. Unë krenohem me faktin që elita politike shqiptare në Maqedoni në përgjithësi, dhe lideri kryesor i shqiptarëve Ali Ahmeti në veçanti, e kanë mbajtur një kurs të qartë e të palëkundur politik drejt Brukselit dhe mendoj se kjo rrugë duhet që të vazhdohet të ndiqet. Shqiptarët duhet të vazhdojnë të mbeten faktori konstruktiv pro perëndimor që e shtyn Maqedoninë drejt integrimit Euro-Atlantik”, thekson ai.