Gjetja e pothuajse të gjitha llojeve të armëve te nxënësit e shkollave të mesme të Vushtrrisë (revole, thika, boks i hekurt, shufra-hekura), si dhe tendenca për të parandaluar përsëritjen e disa rasteve që kanë ndodhur në shkollat e Mitrovicës e të cilat kanë përfunduar tragjikisht janë treguesit më të mirë se Policia e Kosovës duhet të jetë gjithnjë e pranishme në afërsi të shkollave ose edhe brenda ambienteve të shkollave, jo vetëm të Vushtrrisë
Ndonëse janë marrë të gjitha masat e nevojshme për eliminimin e dukurive negative, sidomos në parandalimin e dukurisë së bartjes së armëve dhe të mjeteve të tjera të dënueshme, në shkollat e komunës së Vushtrrisë kanë vazhduar të shfaqen nxënës që shkojnë në shkollë me armë në brez.
Vetëm një ditë pasi kishte përfunduar një aksion i Policisë së Kosovës për kontrollin e nxënësve të tri shkollave të mesme të Vushtrrisë në kuadër të planit operativ “Siguria në shkolla” Policia ka hasur në një nxënës tek i cili është gjetur një revole, një karikator me dy fishekë, një boks i hekurit dhe një thikë, shkruan Zeri.
Nxënësi, emri i të cilit nuk është bërë i ditur nga Policia, ndodhej jashtë hapësirave të shkollës në momentin kur është ndaluar nga Policia dhe është kontrolluar.