Nxënësit përdorin ushqime të shpejta e pije energjike, pa kontrollë

Gazetare: Melihate Rustemi

Janë të shumtë fëmijët të cilët përdorin ushqime jo të shëndetshme e madje të shoqëruara me pije energjike derisa qëndrojnë në shkollë. Për ta vërtetuar si është gjendja në terren me këtë fenomen, Alsat ka vëzhguar nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme se çfarë konsumojnë derisa shfrytëzojnë pushimin e gjatë të shkollës.

Pasojat nga përdorimi i pijeve energjike janë të shumta dhe shqetësuese. Pediatri, Sani Bajrami nga Tetova tha se ata fëmijë të cilët i përdorin pijet energjike kanë sjellje të pakontrolluar.

“Kryesisht janë efekte negative ose dëmtime të veprimit ose të funksionimit të sistemit nervor qendror. Efektet negative konsistojnë në paraqitjen e sjelljeve jo adekuate, sjellje të nxituara ose të eksituara sepse pijet energjike janë stimuluesit kryesor të të ashtuquajturit të hormonit të stresit e cila është një nga hormonet përgjegjëse për nxitjen ose veprimet e nxituara ose veprimet e pakontrolluara të sistemit nervor qendror”, tha Sani Bajrami, pediatër.

Përveç pijeve energjike, janë të shumtë fëmijët të cilët për çdo ditë konsumojnë patatina të skuqura, hamburger, tost dhe salçiçe përplot me salca të yndyrshme. Dietologia Valbona Kadriu thotë se produktet e tilla përveç se shkaktojnë obezitet janë edhe kancerogjene.

“Një hamburger ose një produkt aq i rëndë, aq kalorik në mëngjes, i përpunuar nuk do të mund të tretet në organizëm mjaftueshëm, do t’i duhet dy deri tre orë që të tretet. Mos të flasim pastaj që gjatë përpunimit të patateve të skuqura janë yndyrëra të djegura që formojnë radikale të lira të cilat pastaj te fëmijët mund të shkaktojnë sëmundje të ndryshme siç janë obeziteti, sëmundjet kancerogjene dhe gjithçka tjetër”, u shpreh  Valbona Kadriu, dietologe.

Deri tani, institucionet kompetente nuk kanë ofruar strategji e cila do të ishte zgjidhje për konsumimin e ushqimeve dhe pijeve jo të shëndetshme nëpër shkolla. Ushqimi i organizuar nga institucionet, nuk bëhet pothuajse në asnjë shkollë, përveç në atë me qëndrim ditor. Edhe në këto shkolla, dietologët kanë rezerva për ushqimin që jepet dhe që nuk mund ta kategorizojnë te ushqimet e shëndetshme./Alsat.mk

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme