Lloje të ndryshme të peshqve ngordhin çdo ditë në liqenin e Ohrit, si pasojë e rrjetave të shumta të peshkimit të mbetura ose të zhdukura në fund të liqenit, të cilat përbëjnë rrezik për mbijetesën e tyre. 64 rrjeta fantazmë, siç i quajnë ekspertët, me gjatësi prej 2 kilometra, janë nxjerrë këto ditë nga disa lokacione në thellësi prej 5 deri në 35 metra, shkruan Alsat.mk.
“Rrjetat fantazmë” shërbejnë si kurth për peshqit, ato zakonisht shtresohen në lokalitetet ku ndodhen vendet e shumimit të peshkut dhe janë kërcënim jo vetëm për peshqit, por shërbejnë edhe si barriera dhe pengesa artificiale në të cilat mund të ngatërrohet bota e gjallë”, tha Orhideja Tasevska, drejtoreshë e Institutit hidrobiologjik, Ohër.
Bëhet fjalë për rrjetat që ekzistojnë me dekada në fund të liqenit.
“Po flasim për dekada. Ky lloj i rrjetit nuk shitet e as nuk përdoret më shumë se tre dekada”, thotë Dushica Iliq Boeva, Instituti hidrobiologjik.
“Pjesa më e madhe e rrjetave janë në pjesën shkëmbore ku shumohet trofta e Ohrit, të gjitha janë kapur në shkëmbinj dhe mezi hiqen”, tha Milutin Sekulloski, Qendra e zhytjes “Amfora”.
Aksioni u realizua në bashkëpunim me Shoqatën hidrobiologjike nga Ohri dhe “Heltisis”, organizata më e madhe globale për zhytjes, e fokusuar për këto fenomene.
“Zgjidhja e problemit të rrjetave fantazmë duhet kërkuar në dy drejtime, përmes rritjes së kontrollit nga institucionet dhe edukimit më të madh të vet përdoruesve të rrjetave për rrezikun që paraqet për mjedisin pajisja e tillë e braktisur e peshkimit”, deklaroi Veronika Mikos, drejtoreshë e “Healtisis”.
Në vitin 2017 janë hequr rrjeta peshkimi me gjatësi 14 kilometra. /Alsat.mk