Kjo rrjetë është mbrojtësja e vetme që mban këtë objekt gjysmë të rrënuar në qendër të Kumanovës. Fatin e tillë rrezikojnë ta kenë edhe objektet tjera ngjitur, të cilat nga vjetërsia rrezikojnë të bien nga dita në ditë. Qytetarët që kalojnë aty, ankohen për rrezikun që u kanoset, ndërsa kërkojnë që Komuna të ndërmerr diçka.
“Mendoj që shumë janë të rrezikshme dhe duhet të rinovohen. Patjetër që duhet të ndërmerr diçka, këto kanë mbetur prej se e mbaj mend kështu të njëjta kështu që duhet të ndërmerret diçka”.
“Duhet të rrënohen të gjitha. Pak të bie shi, mund të bëj problem. Duhet të rrënohen dhe pastaj të bëhet parking këtu. Të shfrytëzohet.”
“Qysh nuk rrezikojnë?! E gjitha ka rënë. Duhet të ndërmerret diçka, po këtu nuk ka shtet, nuk ndërmerr askush asgjë. Shumë moti. Ja të gjitha kanë rënë. S’po ndreqin”.
“Paraqesin rrezik të madh edhe për këmbësorët dhe për të gjithë. Duhet të rrënohet dhe të ndërtohet diçka e re. Ky është turp, të shikohet dhe..”
Kryetari i Komunës së Kumanovës, Maksim Dimitrievski pret zgjidhje ligjore, pasi që objektet në fjalë janë prona private dhe komuna nuk ka kompetenca të ndërhyjë.
“Komuna i ka shpallur si objekte të prira për rënie, por fatkeqësisht po bëhen procedura për privatizim, përkatësisht legalizim të disa objekteve. Ndryshe, në atë lokacion komuna tashmë ka përgatitur planin për ndërtimin e objektit komunal. Jemi në pritje të zgjidhjes ligjore për kthimin e truallit në kompetencë të Komunës që të realizojmë planin për ndërtimin e godinës komunale dhe rregullimin e asaj pjese të sheshit të qytetit me ndërtimin e një parking nëntokësor modern”, tha Maksim Dimitrievski, kryetar i Komunës së Kumanovës.
I pyetur për afat kohor se kur mund të realizohet kjo, Dimitrievski tha se ka 3 vite që pret epilog nga organet kompetente për zgjidhje të këtij problem. Ndryshe, ky objekt në qendër të Kumanovës ka 2 vite që është vetë rrënuar, ndërsa mbetjet ende qëndrojnë këtu.