Mjekët dhe punonjësit e tjerë shëndetësorë janë kapitali më i rëndësishëm i sistemit shëndetësor që duhet të respektohet, mbrohet, mbështetet dhe plotësohet me kohë që sistemi të jetë në kondicion, të ofrojë mbrojtje cilësore shëndetësore, thekson Oda e Mjekëve me rastin e 7 prillit – Ditës Botërore të Shëndetit.
“Pandemia e shkaktuar nga virusi korona dëshmoi se mbrojtja e shëndetit është me rëndësi fundamentale për ruajtjen e të gjitha sistemeve të tjera në një shoqëri, për çka duhet të intervenohet në të gjitha segmentet e tij, veçanërisht në punonjësit shëndetësorë të cilët janë bërthama e atij sistemi”, bëhet e ditur në kumtesën e Odës së Mjekëve.
Nga atje theksojnë se mjekët, si bartës themelorë të veprimtarisë shëndetësore, presin që mundin të cilin e bëjnë të vlerësohet në mënyrë adekuate, të kenë mundësi për rritje dhe zhvillim profesional dhe të ndjehen të sigurt në vendet e punës.
Oda thekson se me rëndësi të madhe për shëndetin e pacientëve, punën e mjekëve dhe për funksionimin e sistemit është që të ndërpritet linçimi publik dhe dënimi i mjekëve dhe punonjësve shëndetësorë pa pasur argumente për këtë.
Sipas të dhënave të Odës së Mjekëve, sipas regjistrit të tyre të licencave të dhëna, të vazhduara dhe të rinovuara për punë, ka 9.520 licenca aktive të mjekëve.