Gazetar: Adnan Qaili
Ekipi i prokurorëve dhe hetuesve kanë marrë në pyetje disa punonjës të Klinikës së Onkologjisë. Gjithashtu rreth 20 pacientë janë paraqitur vullnetarisht në linjën telefonike të Prokurorisë Themelore Publike për të ndihmuar hetimin me njohuritë e tyre. Për kryerjen e hetimit financiar është ngarkuar Njësia e Hetimeve Financiare në MPB, ndërsa veprime të caktuara janë kërkuar edhe nga Drejtoria e Inteligjencës Financiare. Ministria e Shëndetësisë dhe Fondi Shëndetësor pritet të dorëzojnë raport për punën e Klinikës, thonë nga PTHP, duke shtuar se ka dyshime të bazuara për kryerje të veprës penale kundër shëndetit të njerëzve dhe manipulim me shërbimet në Klinikën e Onkologjisë.
“Prokuroria Themelore e Shkupit ka formuar një ekip ekspertësh, të cilët bëjnë analizë të funksionimit të përgjithshëm ekonomiko-financiar të Klinikës, si dhe analizojnë të dhënat nga historia shëndetësore e pacientëve. Nga Klinika janë siguruar dëshmi të shumta materiale dhe dokumentacione, të cilat tashmë janë lëndë për analizë. Janë nxjerrë dosje me historitë e mjekimit të grupeve të pacientëve që kanë marrë terapi biologjike në Klinikë, si dhe historitë mjekësore të rreth 40 pacientëve të tjerë për të cilët kryhet kontroll i drejtpërdrejtë i të dhënave të trajtimit”, njoftojnë nga Prokuroria Publike.
Përderisa Ministri i Shëndetësisë flet për etiken e mjekësisë dhe imazhin e doktorëve në atë Klinikë, nuk merr dot vendim as të pezullojë nga puna doktorë dhe infermiere që dyshohet se janë të përfshira në skemat e keqpërdorimeve në Onkologji. Njëri prej tyre është ish-drejtori Nino Vasev, i cili për skandalin e njëjtë të zbardhuar nga TV Alsat në vjeshtë të vitit të kaluar, u detyrua të tërhiqet nga pozita e drejtorit medicinal, por vazhdon të punojë në këtë klinikë si specialistë me po pacientët e njëjtë.
“Nuk jam ai që përzë dikë nga puna apo pranoj dikë në punë. Ka autoritete medicinale që vendosin dhe atje ka dy drejtorë. Nuk mundemi ne dikë ta akuzojmë, ose ajo që më herët ka ndodhur pa argumente. Nuk mund ta di nëse është bërë shverc me barna, atë do ta vërtetojë organet e hetuesisë dhe gjyqësorit”, tha Fatmir Mexhiti, Ministër i Shëndetësisë.
Në lidhje me gjetjet e raportit të Entit Shtetëror të Revizionit lidhur me Klinikën e Onkologjisë, në para hetim do të konsultohen edhe auditorët, të cilët kanë përgatitur raportin dhe kanë konstatuar kushtet. Prokuroria Themelore Publike, duke shfrytëzuar kanalet për bashkëpunim ndërkombëtar dhe shkëmbim të informatave, do të kërkojë të dhëna nga organet kompetente në Kosovë dhe Shqipëri për pacientët nga ato shtete që janë trajtuar me terapi të caktuara në Maqedoninë e Veriut, si dhe për njohuri të mundshme për rishitjen e paligjshme të barnave për trajtimin e pacientëve me kancer në ato vende. /Alsat.mk