Një operacion i përbashkët mes autoriteteve të Spanjës, Ekuadorit dhe Europol ka çuar në goditjen e një prej rrjeteve më të mëdha të trafikut të kokainës, me mbi 21 tonë drogë të sekuestruar dhe 43 persona të arrestuar.
Sipas Gardës Civile Spanjolle, organizata kriminale kishte ngritur një strukturë të mirëorganizuar që vepronte mes Amerikës së Jugut dhe Evropës, duke përdorur kompani tregtare si mbulesë për transportin e lëndës narkotike.
Hetimet kanë zbuluar se rrjeti shtrihej në Spanjë, Ekuador dhe Dubai.
Autoritetet dyshojnë se në Dubai vepronte një grup investitorësh me origjinë shqiptare, të cilët siguronin financimin e kompanive të krijuara në Spanjë. Këto biznese, sipas hetimeve, shërbenin për të fshehur aktivitetin kriminal dhe për të lehtësuar hyrjen e kokainës në tregun evropian.
Droga transportohej me kontejnerë nga Amerika e Jugut, e fshehur mes ngarkesave të ligjshme, dhe mbërrinte në portet e Malagas, Algeciras dhe Valencias.
Ndërkohë, porti i Guayaquil në Ekuador dyshohet se ishte pika kryesore e ngarkimit të kokainës.
Gjatë kontrolleve të zhvilluara në Spanjë, autoritetet sekuestruan rreth një milion euro para të gatshme, si dhe ngrinë pasuri, automjete dhe asete financiare që dyshohet se janë krijuar nga aktiviteti kriminal.
Hetimi, i koduar “MONDRAGON”, zgjati më shumë se dy vjet dhe u zhvillua në disa faza. Në total u arrestuan tetë persona në Spanjë dhe 35 në Ekuador, ndërsa autoritetet vijojnë hetimet për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në rrjet.
Operacioni u koordinua nga Europol dhe u realizua në bashkëpunim me Gardën Civile Spanjolle, Policinë Kombëtare të Ekuadorit, Prokurorinë Speciale Kundër Trafikut të Drogës në Spanjë dhe Gjykatën Kombëtare Spanjolle.
The post Operacion ndërkombëtar kundër rrjetit të kokainës, 43 të arrestuar/ Dyshohet për financues shqiptarë nga Dubai appeared first on Gazeta Shqiptare Online.



