Operacioni “NOMADA” / Zbardhen emrat e personave të arrestuar, të përfshirë në grupin kriminal të trafikimit te emigrantëve

Nga operacioni i koduar “NOMADA”, që goditi grupin kriminal të trafikimit të emigrantëve përmes mjeteve të identifikimit false, janë zbuluar 26 emrat e të arrestuarve.


Gazetari Igli Çelmeta, ka zbardhur emrat e 26 personave të arrestuar që janë si vijon:

  1. Bashkim Sula
  2. Njazi Ademaj
  3. Fitim Rama
  4. Ylli Brahimaj
  5. Gridi Elezi
  6. Rrezart Domi
  7. Osman Luca
  8. Artur Mici
  9. Arsen Caka
  10. Adrian Mema
  11. Maksim Domi
  12. Jugert Gashi
  13. Emiljan Marashi
  14. Roland Islamaj
  15. Behar Rexha
  16. Deila Qama
  17. Arnold Shahu
  18. Ylli Çaushaj
  19. Eriola Spaho
  20. Murat Gjuniku
  21. Bardhyl Imeri
  22. Bajram Xhaja
  23. Fatmir Stankova
  24. Arben Rushiti
  25. Leonardo Lama
  26. Xhelil Alla

Kujtojmë se ditën e sotme uniformat blu, të drejtuar nga SPAK e në bashkëpunim me autoritetet spanjolle, italiane, kosovare dhe ato amerikane kanë goditur grupin kriminal që trafikonin emigrantët përmes pasaportave të falsifikuara. U vunë në pranga 26 persona, ndërsa u lëshuan 31 masa arrest në burg dhe 6 arrest në shtëpi, ku ishte i përfshirë dhe një efektiv policie e gjithashtu janë kontrolluar 51 ambiente.

Për këtë ngjarje SPAK- ka publikuar skemën se si personat e përfshirë mundësonin kalimin e emigrantëve nga toka dhe ajri, me dokumente identifikimi të rreme.

Fillimisht Prokuroria e Posaçme shpjegon se emigrantët do udhëtonin në Mbretërinë e Bashkuar, Amerikë dhe Kanada.

Grupi i organizuar kriminal prodhonte dokumente identifikimi false, kryesisht të Bashkimit Evropian për të mundësuar kalimin e shpejtë e të sigurt në kufinjtë e huaj për emigrantët.

Ishte i mundësuar transporti prej organizuesve, akomodimi dhe udhëzimin e shtetasve në Spanjë mbi itinerarin që do ndiqnin, përmes dy agjenci udhëtimesh. Ky kontroll do vazhdonte deri në vëzhgimin e emigrantëve në aeroport, deri sa të siguroheshin nëse ata do arrestoheshin apo do arrinin të largoheshin drejt Mbretërisë së Bashkuar.

Po kështu, kalimi i shtetasve mund të bëhej e përmes manipulimit të procesit të aplikimit të vizave për në SHBA apo Kanada. Grupi kriminal përveçse i dorëzonte emigrantëve mjetet e rreme të identifikimit, i udhëzonte se si të silleshin nëpër intervista të vizave apo në aeroport.

Ndërkohë nga autoritetet janë sekuestruar 25 mijë euro, 20 mijë paund, sende të tjera me vlerë, ambienti i përshtatur për krijimin e mjeteve të identifikimit të false, kompjutera e printera që shërbenin për shitje e transferta të BITCOIN, një sasi lëndësh narkotike dhe dokumente të tjera me rëndësi.

Nga 31 shtetas me masë sigurimi personal “arrest në burg” është bërë e mundur kapja dhe ekzekutimi i vendimit të gjykatës për 26 shtetas dhe për 4 shtetasit e tjerë u bë shpallja në kërkim, pasi rezulton se ndodhen jashtë shtetit, ndërsa 1 shtetas ndodhet brenda territorit shqiptar për te cilat strukturat operacionale janë angazhuar për kapjen e tij.

Të gjithë personat të përfshirë në grupin kriminal akuzohen për veprat penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, e kryer në formën e bashkëpunimit të veçantë, “Falsifikimi i dokumentave”, kryer në formën e bashkëpunimit të veçantë; “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale apo grupi kriminal”.

SPAK-u shprehet se hetimet po vijojnë në lidhje me ekzekutimin e masave të sigurimit për personat e shpallur në kërkim, si dhe grumbullimin e sigurimin e provave për personat e tjerë që janë të përfshirë në këtë skemë kriminale.

Njoftim zyrtar:

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në kuadër të hetimeve të zhvilluara në lidhje me procedimin penal me nr.177, të vitit 2022, në bashkëpunim me Autoritetet Gjyqësore të Tarragonës, Spanjë, në kuadër të Skuadrës së Përbashkët Hetimore, ka kërkuar caktimin e masave të sigurimit në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, e cila me vendimin e saj nr. 54, datë 06.06.2024, ka vendosur caktimin e masave të sigurimit personal me karakter shtrëngues “Arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale, për 31 persona nën hetim, të cilët janë organizatorë, drejtues dhe pjesëtarë të grupeve kriminale, përfshirë dhe një punonjës i strukturave të Policisë së Shtetit, si dhe masës së sigurimit “Arrest në shtëpi” parashikuar nga neni 237 i Kodit të Procedurës Penale për gjashtë persona, të dyshuar për kryerje të veprave penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, e kryer në formën e bashkëpunimit të veçantë, “Falsifikimi i letërnjoftimeve, pasaportave ose vizave” kryer në formën e bashkëpunimit të veçantë, “Falsifikimi i dokumentave” kryer në formën e bashkëpunimit të veçantë, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale apo grupi kriminal”, parashikuar nga nenet 298/2 e 28/4; 189/1 e 28/4; 333/a dhe 334/1,  të Kodit Penal, “Falsifikimi i letërnjoftimeve, pasaportave ose vizave”, kryer në bashkëpunim, “Shpërdorim i detyrës” parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal, si dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim parashikuar nga neni 283/2 të Kodit Penal.

Hetimet në kuadër të këtij procedimi penal janë realizuar në bashkëpunim me Autoritetet Spanjolle,  Kosovare dhe nën mbështetjen e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, si dhe strukturat e Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH).

Në interes të hetimeve të këtij procedimi penal, është ngritur një Skuadër e Përbashkët Hetimore me autoritetet gjyqësore të Tarragonës, Spanjë, si dhe në kuadër të shkëmbimit të informacioneve në kohë reale edhe me autoritetet ligjzbatuese të vendeve të tjera është bërë e mundur identifikimi dhe dokumentimi i veprimtarisë kriminale të disa grupeve kriminale të lidhura me dhënien ndihmë për kalim të paligjshëm të shtetasve shqiptarë me qëllim udhëtimin e tyre drejt Mbretërisë së Bashkuar, Amerikës dhe Kanadasë.

Përgjatë hetimeve janë përdorur përveç të tjerave, edhe metodat speciale të hetimit nëpërmjet të cilave është dokumentuar veprimtaria kriminale, e cila ka konsistuar:

– në prodhimin e dokumentave te falsifikuara të identifikimit, kryesisht të dokumentave të vendeve të Bashkimit Europian (pasaporta, karta identiteti, leje drejtimi e dokumenta të tjera),  në gjetjen apo ndërmjetësimin e shtetasve shqiptarë që kërkonin për të udhëtuar në Mbretërinë e Bashkuar, në transportimin e personave ashtu edhe të dokumentave të falsifikuara kryesisht në shtetin e  Spanjës, në akomodimin dhe udhëzimin e këtyre shtetasve mbi itinerarin që do ndiqnin, të realizuar nga dy agjensi udhëtimi deri në vëzhgimin në aeroport të tyre për tu siguruar nëse ata arrestoheshin apo arrinin të largoheshin për në Mbretërinë e Bashkuar.

-në dhënien ndihmë për kalim të paligjshëm nëpërmjet manipulimit të procesit të aplikimeve për viza për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës apo Kanada, nëpërmjet përdorimit të dokumentave të falsifikuara, udhëzimit të personave se si të sillen gjatë procesit të intervistave apo në aeroport.

Në këtë veprimtari kriminale personat nën hetim sigurojnë proceset e ndryshme të saj, njohin njëri-tjetrin, dhe dinë për rolin e secilit prej tyre, rrethana të cilat të tregojnë se veprimtaria është e paramenduar, e mirëorganizuar dhe me detyra dhe role të caktuar, qëllimi i së cilës është përftimi material.

Nga ana e strukturave të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, janë ekzekutuar deri më tani 32 masa sigurimi personal për personat nën hetim, ndërkohë që për pesë personat e tjerë nën hetim po bëhen kërkimet përkatëse.

Gjatë kontrolleve janë sekuestruar sendet që kanë shërbyer për kryerjen e veprës penale apo sende që  përbëjnë produkt të veprës penale, shumat e parave 25 mijë euro, 20 mijë paund, sende me vlerë, një ambient i përshtatur për falsifikim të dokumentave, kompjutera e printera që shërbenin për shitje dhe transferta monedha virtuale – BITCOIN, sasi lëndësh narkotike e dokumenta të tjera me rëndësi për hetimin.

Hetimet vazhdojnë në lidhje me ekzekutimin e masave të sigurimit për personat e tjerë nën hetim, si dhe grumbullimin dhe sigurimin e provave për personat e tjerë që janë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Një falenderim i veçantë i drejtohet Eurojust dhe projektit EU4FAST, për mbështetjen e dhënë në kuadër të hetimit të përbashkët hetimor!

Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme