Opozita në Lipjan, ka akuzuar Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal dhe komunën për shkelje ligjore lidhur me pozitën e kryesuesit të Kuvendit Komunal.
Shumicën e numrave në Kuvend Komunal të Lipjanit e përbën opozita pas prishjes së koalicionit qeverisës LDK-AAK, raporton KTV.
Opozita ka vazhduar me procedura për zgjedhjen e kryesuesit të ri, mirëpo, MAPL-ja ua ka refuzuar vendimin e tyre si të jashtëligjshëm.
Sipas nënkryetarit të PDK-së së Lipjanit Lulzim Rrustemi, komuna po e shkel ligjin për Vetëqeverisje Lokale.
Opozita ka kërkuar mbledhje të jashtëzakonshme me 1/3 e nënshkrimeve, mirëpo kjo shkresë është shpërfillur nga kryesuesja Vlora Limani-Hajnuni.
Sipas saj dhe kryetarit të komunës së Lipjanit, Imri Ahmeti opozita për inate individuale dhe grupore dhe interesa politike po e pengon jo vetëm punën e ekzekutivit por edhe zhvillimin dhe mirëqenien e qytetarëve të Lipjanit.
© KOHA.