Gazetar: Suad Bajrami
Aktgjykimi i djeshëm dënues ndaj ish krerëve të UÇK-së ka ndezur retorikën te blloku politik maqedonas, ndonëse partia në pushtet VMRO-DPMNE e udhëhequr nga Hristijan Mickoski, ende nuk ka dalë me qëndrim zyrtar. Opozitarja LSDM e Venko Filipçes, doli me porosi që vendimet e gjykatave ndërkombëtare duhet të respektohen, ashtu siç është respektuar për kriminelin serb Ratko Mlladiq. LSDM kritikoi Afrim Gashin i cili dje tha se asnjë verdikt nuk mund ta mohojë faktin se Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi i përkasin një kapitulli të lavdishëm të historisë së Kosovës.
“Atje Prokuroria nuk punon me telefon. Për atë luftojmë për Bashkimin Evropian. Ligji patjetër duhet të vlejë për të gjithë. Haga gjykoi edhe kur në bankën e të akuzuarit ishte Ratko Mlladiqi. Atëherë thamë: aktgjykimi patjetër duhet të respektohet. Njëjtë edhe tani. Ligji nuk zgjidhet sipas kombit. Në këtë drejtim reagimet e kryetarit të Kuvendit, Afrim Gashi janë krejtësisht të papërshtatshme, ai kryen funksion shtetëror, kryetar të Kuvendit dhe është përfaqësues i shtetit që dëshiron të jetë pjesë e BE-së. Nuk mundet standarde të dyfishta”, reagojnë nga LSDM.
Edhe Partia Liberal Demokrate e Monika Zajkovës ka pothuajse të njëjtën porosi, duke hedhur paralelen e rastit të krerëve të UÇK-së me rastin e Mlladiqit dhe duke kërkuar që të mos relativizohen krimet e luftës.
“Përsërisim se është e rrezikshme për shtetin ligjor kur bartës të lartë të pushtetit i kontestojnë aktgjykimet – pavarësisht nëse bëhet fjalë për funksionarë të cilët e kanë glorifikuar të dënuarin Mlladiq, ose për funksionarë të cilët e relativizojnë aktgjykimin për të dënuarit në Kosovë”, reagojnë nga PLD.
Me porosi të ngjashme, por me fjalor dhe retorikë më të ashpër ka reaguar edhe Dimitar Apasiev dhe partia e tij e Majta. Apasiev, duke festuar aktgjykim dënues, uron të rikthehen edhe rastet e Hagës për luftën e vitit 2001 në Maqedoni, të cilat u amnistuan në vitin 2011. Me retorikë të ngjashme ka dalë edhe partia proruse e Janko Baçevit, e cila kërkon të ndiqet penalisht Afrim Gashi, ashtu siç është kërkuar të ndiqen penalisht funksionarët e partisë serbe të Ivan Stoilkoviqit për glorifikimin e Ratko Mlladiqit. Edhe ata, kërkojnë të rihapen rastet kundër krerëve të UÇK-së nga Maqedonia. Nëpër rrjete sociale, por edhe media të caktuara maqedonase, mund të shihen komente dhe tituj që ndjekin narrativet se vendimi i djeshëm i Hagës ka rrëzuar mitin e paprekshmërisë së shqiptarëve kur bëhet fjalë për krimet në luftërat e ish Jugosllavisë. /Alsat.mk
The post Opozita maqedonase: Të respektohet vendimi për krerët e UÇK-së, siç u respektua vendimi për Mlladiqin appeared first on Alsat.



