Opozitari me prirje diktatoriale

Autor: Xhevdet Pozhari

Në zhargonin popullor ekzistojnë shumë shprehje mizogjene që diskriminojnë gruan shqiptare, e njëra ndër to është edhe “flokët e gjata, e mendtë e shkurta”. Por, me evolimin dhe emancipimin shoqëror edhe kjo thënie, njëjtë si edhe shumë të tjera, u dëshmua se më tepër për qëllim kishte të heshtej kapaciteti i gruas dhe hapësira të dominohej nga një mendësi maskuliste. Me kalimin e kohës, të gjitha shprehjet që përdoreshin dikur për ta diskriminuar gjininë femërore, nisën t’u shkonin më shumë për shtati disa meshkujve, duke shfaqur të vërtetën e hidhur se autorë të këtyre “thënieve” ishin ata që vuanin nga këto komplekse për të cilën akuzonin gjininë e kundërt. Një prej dëshmive konkrete është edhe reagimi tërë histeri i një politikani flokëgjatë në Maqedoni, i cili nuk duron kur e krahasojnë me një mendësi politike të cilën e ka trashëguar, i cili nuk e honeps kritikën dhe është në gjendje të marr edhe role që nuk i takojnë, si p.sh të “redaktorit të lajmeve” kur pyetet për gjëra që nuk i shkojnë për shtati lartësisë së tij!

“Nuk jeni shkëputur nga mendësia e PDSH’së”, një fjali e vetme e kryeredaktorit të gazetës Lajm në Maqedoni, mjaftoi që ta nxjerrë nga kontrolli udhëheqësin e LrPDSh – së, Ziadin Selën ne debatin ku ai foli gjatë tërë kohës dhe përsëriti e ri-tha të gjitha të thënat e deritanishme lidhur me dy temat e tij të prefereruara “bashkimin opozitar” dhe federalizimin e Maqedonisë. Në tërë atë minutazhë kur ai zhvilloi monolog me vetveten dhe ndërpriste sa herë që dëshironte bashkëbiseduesit, ndërsa nuk toleronte asnjëherë t’i ndërpritej fjala, mjaftoi një provokim i lehtë që të shpërfaqet sedra e politikanit, i cili nuk duron kritikë e as sugjerime.

Një fjali ishte e padurueshme për politikanin flokëgjatë, i cili deri dje thoshte se jam i gatshëm për bashkëpunim pa kushte, e siç rrodhën ngjarjet më pas, doli që nuk bëhet fjalë për kushte por për diçka edhe më serioze që vet koha do ta sqarojë në Maqedoni, siç u sqaruan me kohë edhe shumë dilema lidhur me politikanë të tjerë në Maqedoni.

Politikani flokëgjatë pezmatimin e tij e vazhdoi edhe më tej ndaj medieve të cilat u skandalizuan me reagimin që shfaqi ai ndaj një kolegu të tyre, i cili u akuzua vetëm pse kishte raportuar për gjëra që nuk i pëlqenin këtij politikani. Është brengosëse për një politikan që pretendon të shfaqet i moderuar, lehtësia me të cilën ai zgjodhi të sulmojë gazetarë dhe media, që për një kohë të gjatë ishin opozitë e vetme thuajse në Maqedoni, madje edhe në kohën kur ai vetë shpërndante buzëqeshje me ish liderin e tij partiak. Përfaqësuesi politik i një gjysmë subjekti politik (sepse tenton ta reformojë pjesën tjetër të të njëjtit subjekt) duket se nuk e ka kuptuar gjënë më elementare në Maqedoni: se për një media nuk ka gjë më të rëndësishme sesa qasja dhe korrektësia e një politikani ndaj një gazetari. Dhe në momentin kur sulmohet me vrazhdësi dhe sulmohet me gjuhë shpifëse një koleg i yni, atëherë të kota janë të gjitha broçkullat që tentoni t’i shisni në opinion, siç kanë qenë të pafuqishme dhe të kota të gjitha tentativat e deritanishme të partisë shqiptare në pushtet, që përkundër përpjekjeve të pareshtura për të shuar mediat objektive, opozitare, ndaj të cilës parti ju shpërndatë vetëm disa kritika të vakta, ndërsa gjetët kohë që gjerë e gjatë të komentoni, gjatë dhe pas emisionit, për raportimet e medieve.

Mediat raportuan për fytyrën tuaj të vërtetë kur ballafaqoheni me pyetje konkrete. Hallet që ju keni si opozitë janë halle tuajat të cilat i kemi dëgjuar e stërdëgjuar gjatë një viti. Ngjani në gramafon të prishur, që irriton të gjithë ata që me të drejtë kanë pritur një shkëndijëz opozitare, e të cilën ju nuk arritët t’ua ofroni. Qërimi i hesapeve me rivalët politik, po ashtu, është problemi i juaj. Por, në momentin që ju në një emision mundoheni të tregoheni si “redaktor” lajmesh, atëherë nuk do te duhej të befasoheshit, të paktën nuk do të duhej të shfaqeshit aq mendjeshkurtër, se nga ajo pjesë e monologut tuaj të mërzitshëm e vetmja gjë interesante mund të na jetë tentativa e juaj për të ndërhyrë në punët e redaksive. Kjo ngaqë demagogjitë tuaja politike i kemi të njohura. Sikundërse e njohim edhe fjalorin dhe mendësinë tuaj politike, por ajo që ishte risi dhe e panjohur për ne ishte mos durimi që keni ndaj secilit medium që raporton për gjëra që nuk ju konvenojnë, apo nuk ju shpall si më të dijshmin, me te hijshmin, me shtatlartin… më flokëgjatin.

Vërtetë të jeni aq mendjeshkurtër sa t’i lejoni vetës komoditetin që të vazhdoni me akuza edhe ndaj portaleve tjera të cilat nuk kanë toleruar dhe nuk do ta tolerojnë asnjëherë ndërhyrjen politike në gazetarinë e pavarur? Dhe vërtetë mendoni se juve ju dallon diçka nga ai me të cilin ju krahasoi kolegu Isen Saliu, kur edhe ju si gjithë ata të shkollës suaj politike, mendoni se djemtë e dikujt duhet të paguajnë mëkatin e baballarëve dhe se disa gazetarë duhet linçuar familjarisht? Dhe çka do bënit ju me djemtë e atij që e përmendni, po të kishit pushtetin e atyre që doni ti mposhtni në zgjedhjet e ardhme? Është e mundur të mos ju kenë treguar se duhet ta fshihni atë që është tipare e diktatorëve më monstruozë: që shkaku i prindërve, t’i ndëshkojnë edhe fëmije tyre, apo edhe e kundërta?

Vërtetë të jeni aq mendjeshkurtër sa mos ta kuptoni se ju për ne mbeteni vetëm një politikan më shumë që koha është duke e dëshmuar se mbase me asgjë nuk ndryshoni në përmbajtje nga pushtetarët e deritanishëm?

Vërtetë jeni aq mendjeshkurtër sa të mendoni se mediat nuk e kanë kuptuar se një mandat të tërë si kryetar komune ne Strugë e harxhuat duke u arsyetuar për bllokadat në nivel qeveritar, thuajse populli ju votoi që të ligjëroni për vështirësi e jo për ti zgjidhur ato?

Vërtetë jeni aq mendjeshkurtër sa të mendoni se gazetarët në studio nuk do t’ju pyesin për marrëveshjet me VMRPO DPMNE në nivel lokal, për kritikat e pakursyera ndaj opozitës shqiptare në Maqedoni, ndaj medieve dhe për “maturinë” që shfaqni ndaj Bashkimit Demokratik për Integrim?

Ju edhe mund të mendoni se është “cool” që të jeni mendjeshkurtër e flokëgjatë, por mos të ju gënjejë mendja se modeli të cilin ju jeni duke e demonstruar me sulmet e tilla të ulëta ndaj gazetarëve dhe medieve , është modeli që neve na fascinon. Përkundrazi, na motivon edhe më tej tët “qethim politikisht” nga idetë e rrezikshme të cilat mund t’i ketë vetëm një diktator – se ju jeni më i miri, më i dijshmi, më i hijshmi, më shtatlarti…. më flokëgjati. Sepse, neve si shoqëri na duhen modele të shëndosha të politikanëve në Maqedoni. Politikanë që e kanë kuptuar gjënë elementare, se nga kritika mund të përfitojnë, e jo të sulmojnë gazetarët dhe çdo kënd tjetër që mendon ndryshe!/Sakte.net

 

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme