Trashëgimia komuniste në Ballkan dhe organizmat e përbashkëta tej-kufitare të shoqërisë civile (I)

Sakte.net /  E martë, 11 Tetor 2016  –  12:15

MA.Ridvan EMINI

Procesi konkret i shpërbërjes së regjimit të vjetër(komunist) dhe i dorëzimit të pushtetit- në mënyrë graduale apo të menjëhershme, e nisur kjo nga lart apo nga poshtë ose e imponuar nga jashtë- paraqet rëndësi vetëm për etapën fillestare të tranzicionit në Ballkan. Për të kaluarën (trashëgimia komuniste), paraqet rëndësi pyetja se sa thellë dhe se në ç’farë mënyre kjo ka influencuar shoqërinë? Pas Luftës së Dytë Botërore, totalitarizmi më i gjatë dhe më i egër mbizotëroi në Shqipërinë, Rumani dhe Bullgari. Kurse në shtete si Polonia dhe Hungaria, që në vitin 1956, kishte filluar njëfarë reforme. Zhvillimet në Jugosllavi në vitet e ’60-ta dhe “normalizimi” i Çekisë në vitet e ’70-ta, na tregojnë se dallimi ndërmjet Evropës Qendrore dhe Ballkanit nuk mund të përgjithësohet sipas dëshirës sonë. Në Evropën Qendrore komunizmi përshkoi tri faza kryesore: revolucioni hungarez dhe ngjarjet në Poloni: lëvizja reformiste çeke e vitit 1968; ‘solidarnosti’ polak i viteve 1980-1981.

Në qendër të këtyre krizave, në një formë ose në një tjetër, ishte pikërisht problemi i demokracisë dhe i shoqërisë civile dhe mbas kësaj, në fazën e dytë, doli problemi i pavarësisë kombëtare. Krizat që pësoi komunizmi në rajon, – siç janë shkëputja e Titos nga Stalini, shkëputja e Enver Hoxhës nga Moska dhe riorientimi drejt Pekinit në vitin 1961, qëllimet e politikave të pavarura të Çausheskut  në vitit 1968- donin që të sillnin shkëputjet dhe ftohjet me Moskën zyrtare, por në të njëjtën kohë dhe një forcim të karakteristikave totalitare në brendësi të këtyre shteteve. Mirëpo, ajo që mund të kuptohet lidhur me këtë pikë kthese është se nuk kishte ndonjë koordinim paraprak për veprime të tilla të këtyre shteteve.

Ringjallja e shoqërisë civile në Evropën Qendrore e ka origjinën pikërisht në ato tri kriza që përmendëm më lartë dhe në lëvizjet disidente të viteve të ’70-ta dhe ’80-ta. Nuk është për tu çuditur se këto vende ishin shumë nacionaliste, dhe se nacionalizmi si faza më e epërme e komunizmit pa dyshim se e përfshinte Shqipërinë e Hoxhës dhe Jugosllavinë e Titos. Edhe lindja e elitave të reja politike në Evropën Qendrore para dhe pas vitit 1989, në pjesën më të madhe u detyrohet lëvizjeve demokratike opozitare, të cilat mungonin në Evropën Jugore, në të cilën të parat zgjedhje të lira u fituan nga partitë ish komuniste. Është shumë paradoksale kur shikojmë ato shtete të Evropës Lindore, të cilat kanë qenë më pak të ndikuara nga Rusia, regjistrojnë suksese nga më të dobëtat në procesin e tranzicionit drejtë demokracisë.

 

Ngjarjet e viteve të ’80-ta dhe të ’90-ta kur në Evropën e dikurshme komuniste po përfundonin regjimet e lidhura me Moskën, dëshmuan se roli i shoqërisë civile ka efekte zingjirore tej-kufitare duke filluar nga inkurajimi moral e deri te veprimet konkrete të përbashkëta. Nëse në Poloni rezistenca antikomuniste nisi me “Solidarnost” që ishte një lëvizje në thelb sindikaliste e përbërë nga celula të ndryshme aktive të shoqërisë civile, ajo që më vonë do të ndodh në shtetet e tjera si në Çekosllovaki apo edhe Hungari në një pjesë jo të vogël i falënderohet nxitjes morale nga “Solidarnost”.

Ka disa arsye që imponuan një bashkëveprim të shoqërive civile në Evropën postkomuniste. I pari ka të bëjë me faktin se kauza ishte e përbashkët, pra kishte të bëjë me demokratizimin e këtyre shteteve dhe çlirimin nga sistemet moniste të instaluara nga Bashkimi Sovjetik; kurse i dyti pa dyshim ka të bëjë edhe me gjeografinë e këtyre vendeve gjë që e ka bërë të mundshëm komunikimin më të lehtë. Efekti zingjiror që një aktivitet i masave qytetare në një shtet mund të ketë në shtetin tjetër ishte arsyeja përse trupat sovjete brutalisht  po shuanin revolucionet popullore, si ai në Hungari në vitet e ’50-ta ashtu edhe shtypja brutale e “Pranverës së Pragës” e vitit 1968. Trupat sovjete, respektivisht regjimet marionete të instaluara nga Moska me shkeljen brutale të këtyre kryengritjeve po  jepnin një shembull si dhe po dekurajonin aktivitetet e shoqërive civile në vendet e tjera. Ndikimet e një shoqërie civile në tjetrën nuk duhet trajtuar detyrimisht si të qëllimshme, por më parë bëhet fjalë për inkurajimin e jo të drejtpërdrejtë. Ajo çfarë ndodhi në ‘Pranverën e Pragës’ nuk mbeti pa rezultate që reflektoheshin më vonë pavarësisht se diktatura komuniste në Çekosllovaki do të forcohej.

Viti 1968, i bëri më të guximshme shoqëritë civile gjithandej. Në të njëjtin vit në Beograd të ketë pakënaqësi të hapura nga masat studentore, të cilat për motiv kishin kërkesat për më shumë liberalizim të jetës shoqërore. Në të njëjtin vit shqiptarët në Jugosllavi, si në Kosovë ashtu edhe në Maqedoni shfaqën haptazi me anë të protestave kërkesën që të përdorin lirshëm flamurin kombëtarë shqiptarë. Në rastin e kërkesave të shqiptarëve, ato vërtetë u shkelën dhunshëm, me rast pati edhe viktima civile, por patën efekte të menjëhershme duke u sjell më shumë të drejta për shqiptarët, jo vetëm sa i përket përdorimit të flamurit kombëtarë shqiptarë, por edhe të ngritjes së shkallës së autonomisë në Kosovë, gjë që në vitin 1974 rezultoi në Kosovën si njësi konstituive, gati e barabartë me republikat e Federatës së dikurshme Jugosllave.

Nuk mund të thuhet se këto ishin organizime politike të planifikuara, ngase asnjëherë nuk është arritur të dëshmohet që prapa kërkesës shqiptare qëndronte ndonjë organizatë politike. Përkundrazi, pikërisht protestat e masave qytetare të vitit 1968, inkurajuan organizimet e mëtejshme politike të formacioneve dhe ideologjive të ndryshme politike. Sikur edhe gjetiu në Evropën Lindore, regjimet u rikonsoliduan, diku-diku u ashpërsuan edhe më tej me veprimet ndaj atyre që mendonin ndryshe politikisht, por ishte e qartë se një liberalizim i jetës politike dhe ekonomike duhej të ndodhte, në mënyrë që regjimet të kishin më të rehatshme periudhën vijuese.