Opsione për shtyrjen e Demarkacionit

Partitë në pushtet janë të bindura se seanca për ratifikimin e Marrëveshjes për Demarkacionin me Malin e Zi duhet të mbahet, pavarësisht tensioneve dhe deklarimit të disa deputetëve të tyre se janë kundër kësaj marrëveshjeje. Megjithatë, krerët e shtetit vazhdojnë t’i thërrasin deputetët t’i lënë anash interesat personale dhe ta votojnë Demarkacionin me shtetin fqinj, duke siguruar se Kosova nuk e humb asnjë metër katror me këtë marrëveshje.

Deputetët e partive në pushtet theksojnë se seanca duhet të mbahet pavarësisht tensioneve, ndonëse, sipas tyre, ajo mund të shtyhet, por jo edhe të anulohet sepse deputetët duhet ta shprehin vullnetin e tyre me votë, pro ose kundër. Por, presidenti i Kosovës Hashim Thaçi shprehet i bindur se Demarkacioni do të kalojë.

“Nuk ka dështim, Demarkacioni do të kalojë, është marrëveshje e saktë, është e drejtë. Është në interesin e dyanshëm, është në interesin e konsolidimit të shtetit tonë, është edhe në interesin e frymës dhe agjendës euroatlantike për domosdoshmërinë edhe të liberalizimit të vizave, edhe të themelimit të Forcave të Armatosura të Kosovës”, ka thënë Thaçi, duke kujtuar përgjegjësitë e deputetëve. “Tanimë dilema nuk ka, gjithçka është e qartë dhe pritet përgjegjësi e lartë e çdo deputeti që të dalë mbi emocionet e politikës së çastit apo mentalitetit provincial dhe të votojë në interes të shtetit”, ka shtuar ai.

Se duhet mbajtur seanca për ratifikimin e Marrëveshjes për Demarkacionin e thonë edhe deputetët e partive në koalicionin qeverisës. Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Sadri Ferati, thotë se presioni dhe tensionet nuk duhet të ndikojnë në punën dhe parimet e Kuvendit dhe deputetëve.

“Unë mendoj se tensionet nuk duhet të ndikojnë në principet dhe parimet e Kuvendit sepse pikërisht ata që bëjnë presion momentalisht, gjithmonë thirren në pavarësinë e punës së Kuvendit. Prandaj deputetët dhe Kuvendi duhet të jenë të pavarur dhe jashtë tensioneve për të debatuar dhe për të marrë vendimet e arsyeshme”, ka thënë Ferati, duke theksuar se seanca mund të shtyhet, por jo edhe të mos mbahet fare, pavarësisht deklarimit të disa prej kolegëve të tij se janë kundër kësaj Marrëveshjeje për Demarkacionin.

“Jo nuk e di a do ta bëjë të pamundur. Por mendoj që seanca duhet të mbahet, ajo mund të shtyhet, por seanca duhet të mbahet dhe nëse nuk ekziston vullneti i deputetëve, ata do ta tregojnë një vullnet, ose do të votohet, ose nuk do të votohet”, është shprehur ai.

Edhe analistët politikë theksojnë se shtyrja e seancës është blerje kohe, meqë nuk ka shmangie pa votimin e kësaj Marrëveshjeje për Demarkacionin.

Megjithatë, analisti politik Blerim Burjani thotë se koalicioni qeverisës është në krizë mes ratifikimit të marrëveshjes apo edhe shkuarjes në zgjedhje të parakohshme.

“Ky koalicion tërë kohën e përmend liberalizimin si kusht, në anën tjetër në fjalorin e tyre politik dominon presioni që kanë nga bashkësia ndërkombëtare. Pra, ky koalicion është duke u përballur me situata kritike për ekzistimin e tij si koalicion politik, ose ta ratifikojë marrëveshjen, ose nuk është larg mendsh të shkohet në zgjedhje të jashtëzakonshme, po qe se presioni ndërkombëtar rritet fuqishëm në raport me politikën vendore”, ka thënë Burjani, sipas të cilit shtyrja e seancës për ratifikimin e Demarkacionit është shtyrje kohe, pasi nuk ka shmangie nga ratifikimi.

“Shtyrja është blerje kohe, por s’ka shmangie nga ratifikimi. Prandaj ideja e shtyrjes është sikur ideja për të shkuar në zgjedhje më vonë, edhe pse realisht shtyrja mund të ndodhë një javë, por jo më shumë, pra pak ka fitim prej kësaj teme”, është shprehur ai, duke thënë se edhe shtyrja e seancës me konsensus është i vështirë, pasi që palët janë diametralisht të kundërta në qëndrime për këtë pikë./Zeri.

 

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme