Thaçi për ngjarjet në Mushtisht: Serbët kanë të drejtë të kthehen

Presidenti, Hashim Thaçi, ka thënë se janë të papranueshme skenat që janë parë të dielën në fshatin Mushtisht dhe ka bërë thirrje që të respektohet e drejta e secilit që të kthehet në pronat e veta.

“Janë krejtësisht të panevojshme dhe të papranueshme skenat nga fshati Mushtisht”, është shprehur presidenti Thaçi, i cili ka shtuar se “këto veprime nuk janë as në interes të Kosovës dhe të qytetarëve të saj”. Ai ka përsëritur se është e drejtë e secilit që të kthehet në pronën e tij dhe në vendin e tij të origjinës.

Thaçi ka thënë se të gjithë kanë të drejtë të kthehen në vendin e tyre të origjinës, në pronën e tyre. “Kjo vlen për çdo qytetar të Kosovës, pa dallim etnie”, tha presidenti Thaçi, duke bërë thirrje që të gjithë të respektojnë këtë të drejtë.

“Çështja e të zhdukurve, e të zhvendosurve, e pronave të uzurpuara janë plagë të hapura nga lufta. Duhet t’i mbyllim sa më parë këto plagë dhe të kthehemi nga e ardhmja”, ka thënë presidenti Thaçi, i cili theksoi se e ardhmja është në paqe, dialog dhe bashkëpunim.

Duke shtuar se dhuna nuk ka vend në Kosovë, presidenti Thaçi përfundoi se drejtësia do të merret me të gjithë ata që kanë kryer krime në të kaluarën, meqë “drejtësia është kusht për pajtim të sinqertë dhe për ndërtimin e Kosovës multietnike”, thuhet në komunikatën e dërguar për media.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme