Organizoi vrasjen e Inez Hajrullës dhe Evis Matodashajt, ekstradohet nga Spanja 47-vjeçari Leonard Luzi!

Është ekstraduar nga Spanja, 47-vjeçari Leonard Luzi, i cili akuzohet se organizoi vrasjen e Inez Hajrullës dhe Evis Matodashajt, krim i parandaluar pas ndërhyrjes së policisë.


inez-hajrulla

“Si rezultat i bashkëpunimit mes autoriteteve të Shqipërisë dhe Spanjës, në zbatim të marrëveshjes së ekstradimit, u ekstradua nga Spanja, shtetasi L. L. alias L. S., 47 vjeç, i lindur në Vlorë”, njofton policia.

Ndaj 47-vjeçarit, GJKKO ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, të kryera në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal.

Leonard Luzi akuzohet se në bashkëpunim me pjesëtarë të tjerë të grupit kriminal, kishte organizuar vrasjen e Inez Hajrullës dhe Evis Matodashajt.

Krimi u parandalua nga Policia, pasi Amarildo Nikolli, u arrestua para se të kryente vrasjet. Në momentin e vendosjes në pranga, iu sekuestrua pistoleta me fishek në fole, e gatshme për qitje.

Luzi, i cili njihet me pseudonimin “Daku” është një emër i njohur për policinë, pasi ka lidhje të forta me eksponentë të krimit. Ai është edhe shoku i Amarildo Nikollit, i cili dyshohet të jetë pajtuar si vrasës me pagesë, me precedentë të mëparshëm edhe në Itali.

Njoftimi i policisë:

Ekstradohet nga Spanja, shtetasi L. L. alias L. S., i cili akuzohet nga GjKKO-ja se organizoi vrasjen e 2 shtetasve në Vlorë (krim i parandaluar si rezultat i ndërhyrjes së Policisë).

Shtetasi L. L. alias L. S., u arrestua në Spanjë, gjatë operacionit të koduar “Rekrutuesi”.

Si rezultat i bashkëpunimit mes autoriteteve të Shqipërisë dhe Spanjës, në zbatim të marrëveshjes së ekstradimit, u ekstradua nga Spanja, shtetasi L. L. alias L. S., 47 vjeç, i lindur në Vlorë.

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar i ka caktuar këtij shtetasi, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, të kryera në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal.

47-vjeçari akuzohet se në bashkëpunim me pjesëtarë të tjerë të grupit kriminal, kishte organizuar vrasjen e shtetasve E. M. dhe I. H.

Ky krim u parandalua nga Policia, pasi shtetasi A.N, u arrestua para se të kryente vrasjet.

Shtetasit A. N., në momentin e arrestimit, iu sekuestrua pistoleta me fishek në fole, e gatshme për qitje.

ATENTATI I DESHTUAR NDAJ INEZ HAJRULLA DHE ERVIS MATODOSHAJT

Vrasja Ervis Matodashaj dhe Inez Hajrulla dështoi sepse në gusht të 2023, në orën 12:47, në lagjen “Uji Ftohtë”, policia ka ndaluar për kontroll vrasësin me pagesë, Amarildo Nikollin dhe i ka gjetur me vete armët me të cilat do të kryente krimin.

Pikërisht në atë ditë, 7 gusht 2023 ishte gati për të vrarë Ervis Matodashaj dhe Inez Hajrullën. Atij iu gjetën një arsenal armësh, më konkretisht një pistoletë e markës Pietro Beretta, Mod 92 FS, cal.9, me një silenciator, me karikator të mbushur me 14 (katërmbëdhjetë) fishekë, të kalibrit 9 mm, si dhe një fishek i futur në folenë e qitjes.

TE ARRESTUARIT PER ATENTATIN E DESHTUAR 

Për atentatin ndaj Hajrullës, më herët ka rënë në pranga Muharem Koroveshi, Amarildo Nikolli dhe Leonard Luzi që u kap sot. Në kërkim rezulton ende Erio Zejno. Luzi kishte planifikuar atentatin për hakmarrje për vrasjen e kushëririt të tij, Erigert Ferik (Zejno) në 2013. Një nga personat e dyshuar ai autor ka qenë edhe Ervis Matodashaj, mirëpo një vit më vonë gjykata vendosi pushimin e hetimeve për mungesë të provave ndaj tij.

SI KANE NISUR NGJARJET KRIMINALE 

Hetimet kane provuar se vrasja e shtetasve Ervis Matodashaj dhe Inez Hajrulla, është porositur për hakmarrje dhe për marrjen në kontroll të lojërave të fatit.

Rezulton se në datën 22.03.2013, në qytetin e Vlorës, është vrarë me armë zjarri shtetasi Erigert Zejno. Në lidhje me këtë ngjarje në datën 17.08.2013, u krye arrestimi i shtetasve Ervis Matodashaj, Nadir Ferko dhe Altin Sejdiraj. Në datën 21.04.2014, Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Vlorë, ka vendosur pushimin e hetimeve për të hetuarit Ervis Matodashaj etj., për mungesë provash, dhe në datën 04.12.2014, hetimet e këtij procedimi janë pezulluar për zbulimin e autorëve.

I pandehuri Leonard Luzi (Zejno), i dërguar për gjykim, është kushëri nga ana e babait me shtetasin Erigert Ferik Zejno, vrarë më datë 22.03.2013, në lagjen “11 Janari”, Vlorë.

Hetimet provuan se i pandehuri Leonard Luzi, është financuar nga një person ende i paidentifikuar për të kryer vrasjet e dy shtetasve Ervis Matodashaj dhe Inez Hajrulla.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme