Flaka Surroi
Nëse do të gjinden deputetë të LAA-së që do t’ia japin votën PAN-it, këta do të jenë njerëz: ose të pakurriz; ose të shantazhuar; ose të frikësuar; ose oportunistë; ose të pasinqertë; ose të pandërgjegjshëm; ose jo të gatshëm për të sakrifikuar pozitën – ose të gjitha së bashku. Përfundimisht do të jenë njerëz që nuk kuptojnë gjë prej politikës e që nuk e kanë idenë as çfarë është mirë për Kosovën. E dinë veç çka është mirë për klanistat dhe për vetveten. E mbase as këtë nuk e dinë, por kështu u kanë thënë
Pas 18 ditësh, KQZ-ja më në fund na doli me rezultatet, ende jo përfundimtare, të zgjedhjeve të 11 qershorit. Sipas asaj që kemi tash, deri sa të përfundojë 72-orëshi i ankesave në PZAP, gjendja është si vijon: PAN 39 deputetë; VV 32 deputetë; LAA 29 deputetë; serbët 10 deputetë; minoritetet e tjera 10 deputetë.
Sipas dispozitave kushtetuese, Kuvendi duhet të konstituohet më së voni 30 ditë nga shpallja zyrtare e rezultateve të zgjedhjeve. Mbledhjen e Kuvendit duhet ta thërrasë kryetari i shtetit – e nëse ai për ndonjë arsye nuk e bën këtë, e bëjnë vetë deputetët. Dita e fundit për konstituimin e Kuvendit do të jetë 29 korriku, që i bie e shtunë. Se a ka nevojë të pritet deri atëherë, krejt varet prej pazareve që zhvillohen ndërkohë.
Koalicioni me numër më të madh të deputetëve e propozon kandidatin për kryetar Kuvendi. Ajo që dimë tash është se PAN-i po e fsheh emrin – që do thotë se edhe ky post është objekt pazari. As Kushtetuta e as Rregullorja e Kuvendit nuk e parashohin se në sa runde mund të zhvillohet zgjedhja e kryeparlamentarit. Ajo që dihet është që po nuk pati Kuvend të konstituuar deri më 29 korrik – shkohet në zgjedhje të reja.
Në rastin kur tashmë Kuvendi është konstituuar, kryetari i shtetit do t’ia japë mandatin për të formuar qeveri PAN-it. Kjo parti do t’i ketë 15 ditë në dispozicion për ta formuar atë. Që i bie më së voni më 13 gusht, pra të dielën. Po qe se kjo përpjekje dështon, kryetari ka kohë dhjetë ditë për të caktuar mandatar të ri. Kjo i bie më 23 gusht, e mërkurë. Mandatari i ri ka kohë edhe 15 ditë për ta krijuar Qeverinë (kjo po qe se po e kuptoj si duhet Kushtetutën), që i bie më së voni më 7 shtator.
Pra, nëse institucionet e partitë e kanë ndërmend të shkojnë në pushim në korrik e gusht, (për ta zgjatur pazarin) Kosova nuk do të ketë Qeveri të re para shtatorit. Madje, nëse komplikohen interpretimet, mund të mos ketë fare Qeveri e të shkojë në zgjedhje të reja, që do të duhej të mbaheshin brenda 40 ditësh më së voni, ose më së largu më 1 tetor.
Kush do të jenë interesxhinjtë?
E pashë të domosdoshme ta bëj këtë hyrje kalendarike në këtë kolumne – për ta treguar absurdin e një sistemi zgjedhor me shumë mangësi dhe me ndërhyrje substanciale nga Kushtetuesja – që bëjnë nga formimi i Qeverisë një seri në disa vazhdime, me shumë dramë e dashuri për interes që në vend të kërshërisë, më parë shkaktojnë neveri e zemërim te shikuesi, që në këtë rast është votuesi.
Sido që të jetë, ajo që është e qartë në këtë çast është se PAN-i nuk i ka votat e mjaftueshme për ta formuar Qeverinë, me gjithë Lista Srpskan dhe krejt minoritetet e tjera. Këtij koalicioni i nevojiten edhe dy vota për ta siguruar shumicën e brishtë, të cilat patjetër duhet të vijnë nga VV-ja ose nga LAA-ja. Se a do të bëjë vaki kjo punë, do ta shohim së shpejti. Ngase duhet kujtuar se mandati i deputetit është individual, dhe jo domosdo duhet t’i përmbahet disiplinës partiake.
Qysh tash po përfliten emra deputetësh që do të mundë t’ia jepnin votën Haradinajt për të krijuar Qeverinë mbi këmbët e qelqta, e që do të mundë të binte në cilindo moment që PDK-ja të dojë. Kjo për shkak se kjo parti kështu funksionon – kur do e rrëzon Qeverinë në të cilën edhe vetë bën pjesë.
Nëse ndodh që të gjinden deputetë që do t’ia japin votën PAN-it, me gjithë rrezikun që ngërthen prezenca e Lista Srpskas në një Qeveri të re hipotetike, këta do të jenë njerëz: ose të pakurriz; ose të shantazhuar; ose të frikësuar; ose oportunistë; ose të pasinqertë; ose të pandërgjegjshëm; ose jo të gatshëm për të sakrifikuar pozitën – ose të gjitha së bashku. Përfundimisht do të jenë njerëz që nuk kuptojnë gjë prej politikës; sepse veprojnë sipas diktateve apo sipas qejfeve të tjetërkujt, dhe që nuk e kanë idenë as çfarë është mirë për Kosovën. E dinë veç çka është mirë për klanistat dhe për vetveten. E mbase as këtë nuk e dinë, por kështu u kanë thënë.
Nëse do të ndodhë një votim i këtillë, dhe PAN-i bëhet me Qeverinë, Kosova me gjasë do të shkojë në zgjedhje të reja parlamentare më së voni diku nga fillimi i vitit të ardhshëm. Tamam sa t’i bëjë Haradinaj edhe 100 ditë në kryeministri.
Hesapi pa hanxhiun?
Por çka nëse nuk ka pajtim brenda PAN-it për ta votuar këtë Qeveri, e çka nëse një pjesë e deputetëve të PAN-it vendos të abstenojë apo të votojë kundër? Është situatë hipotetike, vështirë e realizueshme me gjasë, porse, megjithatë, e mundshme. Janë gjashtë deputetë të një fraksioni që ka dalë nga PDK-ja me shumë akuza e fajësime, e që gjatë fushatës zgjedhore u trajtuan bash si bisht që askush s’e deshi. Deputetët e NISMA-s nuk u paraqitën kurrë si partnerë koalicioni. Për më tepër, në mbylljen e fushatës ishte Haradinaj ai që e mori me zor Limajn për të dalë në podium e për ta përshëndetur masën.
Mosmarrëveshjet që Limaj i ka pasur me ish-partinë e tij dhe trajtimin që e ka marrë si pjesëtar i padëshiruar i këtij koalicioni, mund t’i kushtojnë Haradinajt në fund. Mbase ky do të mund të ishte momenti i këndelljes së Limajt dhe i hakmarrjes së tij ndaj atyre që nuk u treguan shumë përkrahës në kohën që ky e kaloi në burg në Hagë. E që u treguan edhe më pak përkrahës pas daljes nga burgu, por kur u fut në telashet e keqpërdorimeve në MTPT dhe kur e nënshkroi kontratën më së miri të ruajtur në Kosovë, me “Bechtel-Enkan”, për rrugën më të shtrenjtë në Evropë.
Në këtë situatë, Limaj do të ishte në pozicion për të negociuar me LAA-në e besa edhe me VV-në për t’i dhënë përkrahje një koalicioni paszgjedhor që do ta qiste PDK-në në opozitë. Me gjashtë vota më pak, PAN-i pa “N” do t’i duhej t’i gjente madje edhe gjashtë pakurrizorë të tjerë për ta mbërritur qëllimin. A është e bëshme? Po, natyrisht, nëse inati e udhëheq këtë proces.
Partnere e kujt?
E nëse inati e udhëheq procesin, mund të ndodhë që LAA-ja do t’ia dalë t’i bindë AAK-në dhe NISMA-n që të bashkohen me të për të krijuar Qeverinë. Por LAA-ja do të duhej ta kishte parasysh se edhe ajo nuk do të mundë të bënte gjë pa minoritetet, përfshirë edhe Srpskan. Pra, situata nuk do të ndryshonte sa i përket ndikimit që Beogradi mund të kishte në punët e brendshme të Kosovës. Për më keq, LDK-ja do të binte në hendek edhe më të thellë, nga i cili vështirë se do të këndellej për zgjedhjet e ardhshme. Për shkak se për ta shtyrë idenë e paraqitjes së saj si parti e madhe dhe me ndikim – do të detyrohej të bënte shumë koncesione. Do të detyrohej të luante sipas udhëzimeve të partnerëve më të vegjël dhe do ta humbte krejt identitetin — të cilin nuk do të mundë t’ia shpëtonin as të rinjtë që iu bashkuan në këto zgjedhje. Krejt kjo natyrisht, po qe se do të dinte se të gjithë deputetët e LAA-së do ta votonin një opsion të këtillë.
Në këtë situatë, LAA-ja nuk do të bëhej me kreun e Qeverisë. Do të bëhej aktorja dytësore në një fizkulturë që nuk ka shumë kuptim. Do t’i hynte edhe një kombinimi që do të sillte mungesë funksionaliteti e edhe ndonjë bllokadë politike që do të zgjidhej me tërheqjen e ndonjërit nga partnerët e vegjël. Këtu humbëse gjithsesi do të dilte LDK-ja – porse më së shumti do të humbte Kosova.
Po qe se do të dilte ta mbronte votën e vet përbrenda – pra që asnjëri nga deputetët e saj të mos kalonte në tarafin e PAN-it, LAA-ja do ta kishte mundësinë ta mbërrinte pushtetin, po qe se do të bashkohej me Vetëvendosjen (fiks 61 vota) dhe me minoritetet joserbe, që do t’ia jepnin edhe 10 vota të tjera për më shumë stabilitet. Dhe pavarësisht dallimeve ideologjike, nuk do ta kishte vështirë t’i përcaktonte dhjetë prioritetet qeverisëse së bashku me VV-në: problemet tashmë janë bërë aq kronike, saqë kudo që të preksh, ke çka ndërmerr. Natyrisht, me kusht që prioritetet të mos jenë retorikë e thatë.
Opsioni i fundit që i mbetet LAA-së është të shkojë në zgjedhje të reja së bashku me gjithë të tjerët, për shkak se nëse nis të vërë kushte ambicioze, mund të ndodhë lehtë që VV-ja të tërhiqet dhe që faji për mosformimin e Qeverisë eventuale VV-LAA t’i mbetej LAA-së. E dalja e menjëhershme në zgjedhje pas debaklit të pësuar në këto të qershorit, do t’i kushtojë më së shumti LDK-së. Për shkak se nga subjekti që mund të ndikojë në ndryshimin e skenës politike, do të shndërrohet në faktorin destabilizues politik të Kosovës.
* * *
Çelësi i ndryshimit ose jo të asaj që e kemi jetuar shumë gjatë është në duart e deputetëve oportunistë e interesxhinj që do të jenë në gjendje t’ia japin votën PAN-it në këmbim të ndonjë favori. Njëra nga format që kjo të mos ndodhë është që komplet grupi i deputetëve të LAA-së të mos marrë pjesë fare në seancë në ditën kur të votohet Qeveria. Fundja, nuk do të ishte hera e parë që dikush e bojkoton një seancë dhe, fundja, edhe pa ta do të kishte kuorum të mjaftueshëm për ta mbajtur seancën.
Se si do të realizohej mungesa kolektive nga seanca, kjo do të jetë punë që do të kërkojë shumë kreativitet dhe vendosmëri që Kosova të dalë nga lloçi ku është ngujuar, edhe për faj jo të vogël të LDK-së, që dy herë zuri thua në gurin e njëjtë. E treta herë do të ishte fatale për të.
Sado që dy vota pro-PAN do të mundë ta zvarrisin realizimin e ndryshimit që ky vend kërkon prej kohësh, atë që LDK-ja duhet ta ketë të qartë është se Kosova mundet edhe pa të. Ndëshkimi i qershorit qe vetëm një paralajmërim.