Ajo ka thënë se institucionet e vendit janë kritikuar edhe për Vettingun por edhe për shkarkimin e ish-kryetares së Komisionit Qëndror për Zgjedhje, Valdete Daka, duke iu referuar këtij raporti, por që sipas presidentes, në Raportin për Kosovën nuk ka asnjë kritikë ndaj vendimeve të institucioneve.
“Në radhë të parë po flasim për dy dokumente të ndryshme, pra raporti për Kosovën që më herët është quajtur Raporti i Progresit nuk ka asnjë kritikë për shkarkimin e Valdete Dakës. Ata që thonë se Raporti i Progresit ka kritikuar Kosovën, nuk po dinë për fat të keq të bëjnë ndarjen. Në anën tjetër ka deklaratë preliminare nga një ekip i vëzhguesve, është deklaratë preliminare pasi që raporti përpilohet pas certifikimit të zgjedhjeve”, ka thënë Osmani, transmeton lajmi.net.
Ajo ka thënë se i qëndron prapa deklaratave që janë bërë në konferenca për media edhe rreth Vettingut, duke thënë se e mbështet plotësisht këtë proces, ndërsa ka theksuar se brenda Bashkimit Evropian ka individë që nuk duan që në Kosovë të sundojë ligji.
“Sa i përket çështjeve që kanë të bëjnë me Vettingun, unë i qëndroj prapa deklaratave që janë bërë atë ditë në konferencë për shtyp. Mendoj se ajo çfarë është shqetësuese për Kosovën është tendenca nga zyrtarë të caktuar në Bashkimin Evropian që ta ndalin Vettingun si procesin më kyq e më i rëndësishëm për të sjell sundim të ligjit në këtë vend. Është tepër shqetësuese të shohim që ata zyrtarë që nuk janë në numër të mëdhenj, kanë arritur për fat të keq që tendencën e tyre për ta ndalur Vettingun ta fusin në raportin final për vendin”, ka thënë Osmani në Kanal 10.
Presidentja ka thënë se institucionet janë në komunikim që një kohë të gjatë me BE-në rreth procesit së Vettingut.
Ajo ka folur me tone të ashpra akuzuese duke thënë se individë brenda BE-së nuk kanë ndonjë interes që Kosova të shënojë suksese në sundimin e ligjit.
“Ka zyrtarë të caktuar të Bashkimit Evrpian, pasi që ne kemi komunikim me ta që një kohë të gjatë lidhur me këtë proces, ka zyrtarë brenda Bashkimit Evropian që nuk kanë ndonjë interes që Kosova të shënojë suksese në fushën e sundimit të ligjit sepse pastaj ashtu e bllokojnë procesin e Kosovës sa i përket financimit të projekteve të rëndësishme, e bllokojnë procesin e liberalizimit për vendin dhe bllokojnë shumë, pra krijojnë arsye për bllokadën që dëshirojnë t’ia bëjnë Kosovës. Ka zyrtarë, po e sqaroj, pra ka individë, por ka edhe shumë të tjerë që e kanë konfirmuar edhe pas publikimit të këtij raporti se e përkrahin plotësisht Vettingun”, ka deklaruar Osmani.
Kujtojmë se procesi i Vettingut ka qenë zotim i Lëvizjes Vetëvendosje dhe presidentes Vjosa Osmani para se të vijnë në pushtet.