Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka qëndruar sot në Mitrovicë.
Ajo është pritur nga familja e Halil Hasanit në Vinarc të Mitrovicës për iftar.
Kjo familje, ka bërë të ditur Presidentja, ka katër djem të zhdukur nga koha e luftës.
“Në Vinarc të Mitrovicës, u mirëpritëm për iftar në familjen e Halil Hasanit, liria e së cilës ende nuk ka marrë kuptim nga ankthi për fatin e katër djemve të tyre të rrëmbyer dhunshëm gjatë luftës. Dhimbja e tyre është edhe e jona, ndaj sonte solidarizohemi dhe bashkëndjejmë me ta sikurse edhe me mijëra familje të tjera në Kosovë dhe angazhohemi që si institucione të ofrojmë gjithë përkrahjen e nevojshme”, ka shkruar Osmani.
Presidentja ka nisur një turne vizitash në qytete të ndryshme të Kosovës dhe në disa raste po mirëpritet si mysafire nga qytetarët për vizita në shtëpitë e tyre.