Shkëlqim Krasniqi nga Gjakova, muajin që lamë pas, aplikoi në konkursin e hapur për roje në Spitalin “Isa Grezda”.
Por, ai thotë se gjatë këtij konkursi, pati parregullsi të shumta, raporton KTV.
Ankohet se në këtë pozitë u pranua një kandidat i afërm me drejtorin e këtij spitali, Asllan Ahmeti.
Madje, pretendon se është dashur të paguhen të holla për t’u punësuar.
Atë e habit fakti se si ka mundësi që një kandidat ta përfundojë testin për aq kohë sa ky nuk kishte arritur as emrin e mbiemrin ta shkruante në test.
Krejt këto dyshime i mohojnë në menaxhmentin e këtij spitali.
Vetë drejtori i këtij spitali, i apostrofuar se ka zgjedhur familjarë për këtë pozitë, nuk ka folur për KTV-në me arsyen se ishte i zënë.
Në vend të tij ka folur kryesuesi i komisionit përzgjedhës për pozitën “Sigurim i Spitalit”, Lulëzim Berisha, i cili thotë se nuk ka pasur asnjë shkelje gjatë përzgjedhjes.
Sidoqoftë, Berisha thotë se në adresë të këtij spitali nuk ka ardhur asnjë ankesë. Kandidati Krasniqi thotë se nuk u lejua fare që të ankohet nga punëtorët e këtij spitali.