Pa ua zhveshur brekët edhe Musës e Alisë, nuk ka peshë puna e Prokurorisë!

VESEL MUHAMEDI

Sapo lexova rezultatet e një ankete. Ato ishin shumë të qarta. Më shumë se 50 për qind e maqedonasve janë kundër vazhdimit të mandatit të Prokurorisë Speciale, kurse vetëm 29 për qind e përkrahin vazhdimin e mandatit të kësaj prokurorie. Kurse te shqiptarët 80 për qind mendojnë se Prokurorisë Speciale duhet t’i vazhdohet mandati, kurse vetëm 5 për qind janë kundër.

Rezultatet e anketës i lexova pak pasi e lexova lajmin se Prokuroria Speciale ka hapur katër raste të reja, ku ekzistojnë dyshime për vepra kriminele. Si shumica e shqiptarëve, nuk munda të rri pa e dëgjuar edhe paraqitjen e Fatime Fetait. E dëgjova me kënqësi dhe me krenari. Mirëpo ende pa më kaluar si duhet ndjenja e krenarisë se sa mirë e flet Fatimja maqedonishten (sa gjuhë njeh, aq je i pasur), më lindi dyshimi: Athua kjo prokurori po arsyeton besimin e madh që kanë shqiptarët në punën e tyre? Athua vetëm “tabulla raza” nga shkolla “Rexho Rushit Zajazi” është fajtor pse ne shqiptarët jemi në këtë gjendje të mjerueshme dhe nëse ai dënohet, gjithçka do të jetë në rregull? Athua dita kur paska shpallë tenderin për ndërtimin e shkollës në “Strogomëjsht”, paska qenë dita fatale që solli deri te “Brodeci”, “Monstra”, “Enciklopedia”, deri te vrasja e Harun Aliut me shokë, e deri te Lagja e Trimave?

Sigurisht që jo. Problemet dhe tragjeditë që u ndodhën shqiptarëve i kanë rrënjët shumë më të thella. Rrënjët e problemeve dhe tragjedive tona fillojnë nga selia e UDB-së në Reçicë, e zgjaten deri te tunelet përmes të cilave arrihet te selia partiake e partnerit të tyre qeveritar. Nëse nuk priten këto rrënjë, ato mund të vazhdojnë deri në Bihaqka!

Sidoqoftë, në presin e sotëm të PSP-së pati një moment shpresëdhënës, filluan të “zhvishen” brekët e shtrenjta. Shpresojmë se ky është vetëm fillimi i procesit të brekëzhveshjes, sepse si rast individual nuk ka shumë peshë, pa marrë parasysh a bëhet fjalë për brekë prej 500 denarëve, apo 500 eurove!

Duhet hequr brekët disa shqiptarëve të cilët deri sa janë në politikë, kanë mundësuar që Llatasi e Ivona, të pasurohen e të bëjnë miliona. Nuk është me rëndësi a e ka emrin Musë, apo Ali, a është në opozitë apo në qeveri. Nuk duhet të bëjë dallime kjo prokurori, por duhet tua heqë brekët sa më parë, të gjithë atyre që e kanë prapanicën të palarë. A e ka emrin Beqë, Ejup ose Izet, pa i hetuar edhe ata, puna e Prokurorisë Speciale, për shqiptarët, nuk ka aspak “lezet”.

Edhe nëse e ka emrin Nevzat, Teutë, Artan ose Bekim, duhet të hetohet gjithkush që ka bë krim. Duhet hetuar edhe incidentin që e kanë kurdisur në “Kala”, sepse dikush u dënua, e dikush bëri karrierë politike deri në “hava”. Sepse, mos harroni, pa drejtësi, as paqe e qetësi nuk ka!

(Çdo përputhje eventuale e emrave në këtë tekst me emra nga realiteti është shumë, shuuumë e paqilimshme)

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme