Dhjetë vite më parë, në kohën e riemërimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve nga UNMIK-u, në Kosovë kishte filluar procesi i vlerësimit në sistemin e drejtësisë, i njohur si Vetting, njofton KosovaPost.
Gjatë këtij procesi rreth 45 gjyqtarë dhe prokurorë janë larguar nga sistemi për shkak se nuk kishin arritur të përmbushnin kriteret e caktuara.
Një proces i tillë shihet të jetë i domosdoshëm edhe tani , me nevojën e kthimit të besimit qytetarë në institucionet e drejtësisë.
Kryetarja e Komisionit për Legjislacion, Albulena Haxhiu, në një prononcim për KosovaPost, tha se procesi i Vettingut është një nga masat më të nevojshme që të kthehet besimi i qytetarëve tek institucionet e drejtësisë.
“Ne kemi dëshmi dhe kemi një pasqyrë të qartë sa i përket problemeve që kemi në sistemin e drejtësisë dhe procesi i Vettingut do të ishte njëra nga masat më të nevojshme madje të domosdoshme në mënyrë që besimi i qytetarëve në raport me institucionet e drejtësisë të ngritet. Prandaj, dilema e vetme është se konsiderojmë që kjo qeveri që e ka kapur shtetin do të mund të përdorte pikërisht këtë proces për të pastruar figurat që i kanë përbrenda institucioneve të drejtësisë”, tha Haxhiu.
Sipas saj, në rast të kryesimit të Qeverisë, Vetëvendosje do të ishte e gatshme që të realizonte një proces të tillë.
“Konsiderojmë që një subjekt politik siç është Vetëvendosje, që e do të çliruar sistemin e drejtësisë dhe konsideron që qytetarët duhet të jenë të barabartë para ligjit, natyrisht që ne do të ishim të gatshëm që ta bëjmë procesin e Vettingut”.
E gjithë kjo, për shkak se sipas Haxhiut do të ishte e rrezikshme që kjo të bëhet nga qeveria aktuale.
“Unë e kuptoj që ka prokurorë dhe gjyqtarë të guximshëm në Republikën e Kosovës por ata nuk mund të veprojnë për shkak se sistemi është i kapur dhe një individ është e pamundur që të bëjë ndryshime prandaj edhe njëherë konsideroj që është i domosdoshëm por që nga kjo qeveri është goxha rrezik që të bëhet”, deklaroi ajo për KosovaPost.
Mirëpo, me Haxhiun nuk pajtohet deputeti nga radhët e Partisë Demokratike, Hajdar Beqa.
Sipas tij, Kosova ka më shumë nevojë për zbatueshmëri të ligjeve aktuale ndërsa Vettingu do të duhej të realizohej pas një analize paraprake.
“Mendoj që Kosovës i nevojitet zbatueshmëri e ligjeve aktuale dhe normal duhet edhe plotësim-ndryshimi, apo ligje të reja të cilat janë në interes të vendit. Sa i përket Vettingut mendoj se duhet të bëhet një Vetting me analizë paraprake, jo vetëm Vetting që nuk ka efekt”.
Beqa thotë se një proces i tillë do të duhej të analizohej nga Ministria e Drejtësisë dhe ekspertët që ka Kosova.
E Dardan Sejdiu, nga Partia Socialdemokrate thotë se është koha e fundit kur do të duhej të vlerësoheshin personat e përfshirë në sistemin e drejtësisë.
Ai thotë se pa një proces të tillë nuk ka kuptim të flitet për një sistem të pavarur gjyqësor e prokurorial andaj edhe duhet bëhet sa më parë.
“Besoj është fundi i një kohe në të cilën personat që janë të involvuar në sistemin e drejtësisë qoftë në prokurori, qoftë në polici, qoftë në gjyqësor mos të kalojnë nëpër filtrin e Vettingut ku e shohin integritetin personal, kapacitetet profesionale dhe i bëjmë një analizë financave të tyre. Pa i kaluar këta tre filtra nuk ka më kuptim të flasim për një sistem të pavarur gjyqësor dhe prokurorial. Pra, Vettingu është i domosdoshëm dhe duhet të bëhet sa më parë”, tha Sejdiu.
KosovaPost ka kontaktuar edhe me Ministrinë e Drejtësisë për të parë se sa e konsiderojnë të nevojshëm një proces të tillë, mirëpo të njëjtit nuk kanë qenë të qasshëm.



