Ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, gjatë vizitës së tij në selinë e Parlamentit Evropian në Strasburg ka kërkuar mbështetjen e parlamentarëve evropian për përshpejtimin e liberalizimit të vizave, njofton kumtesa ministrore.
“Gjatë vizitës time në Strasburg, kërkova mbështetjen e përfaqësuesve të Parlamentit Evropian për përshpejtimin e pakushtëzuar të liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës, përderisa raportova edhe mbi zbatimin e Agjendës Evropiane të Reformave nga ana e Institucioneve të Republikës së Kosovës për MSA-në.
Qytetarët e Kosovës e meritojnë këtë të drejtë themelore të lëvizjes së lirë, ashtu siç e gëzojnë të gjithë popujt e tjerë të rajonit. Çdo trajtim ndryshe ndaj tyre i forcon bindjen për pabarazi dhe shtetas të dorës së dytë, status nga i cili ne kemi vuajtur shumë përgjatë historisë tonë”, ka thënë Pacolli, thotë kumtesa.