Presidenti i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli, në prani të qindra qytetarëve dhe përfaqësuesve të bizneseve në Ferizaj, ka mbajtur debatin për Zhvillim Ekonomik dhe Punësim.
I pari i AKR-së, ka folur para tyre për mundësitë dhe mënyrat e ndryshimit të situatës aktuale ekonomike në vend.
Pacolli ka shpalosur diçka edhe nga programi i partisë së tij duke thënë se “me AKR-në në pushtet do të reduktohet administrata e panevojshme, ndërsa Kosova do t’i ketë vetëm shtatë ministri apo departamente, të cilat do të jenë efektive dhe transparente”.
Ai ka folur edhe për “problemet esenciale me të cilat ballafaqohet shoqëria kosovare, duke vënë theks të veçantë në çështjen e papunësisë si dhe në mungesën e zhvillimit ekonomik dhe investimeve kapitale, çështje këto të cilat ndikojnë drejtpërdrejt ne mirëqenien dhe vetëdijen qytetare”, thuhet në komunikatën për media nga AKR, njofton Klan Kosova.
Pacolli ka akuzuar udhëheqësin vendore për dështimin e krijimit të një ambienti të sigurt dhe atraktiv për investime.
Sipas Pacollit, investimet kapitale janë në rënie ndërsa shpenzimet qeveritare janë në rritje.
Ky fenomen, tha Pacolli, është një nga faktorët kryesorë që e tkurrë perspektivën e Kosovës.
“Tendenca e investimeve të huaja në Kosovë është në rënie, pasi që investitorët e huaj të cilët kanë ardhur në Kosovë për t’i investuar me qindra miliona euro, janë tërhequr. Investitori dëshiron që paraja e tij të jetë e sigurt” ka thënë Pacolli, duke shtuar se ata do të vazhdojnë të largohen nga Kosova nëse kjo situatë konfuze me funksionim të ligjit nuk ndryshon.
Pacolli deklaroi se Kosova duhet t’i mbrojë me ligj investitorët të cilët duan t’i fusin paratë e tyre në një ambient të sigurt.
Lideri i AKR-së para qytetarëve të Ferizajt ka thënë se këto probleme nuk tejkalohen me një shtet jofunksional, ku nuk respektohet ligji dhe ku nuk ka llogaridhënie.