Kryesia e Kuvendit është detyruar ta ndryshojë një vendim që kërkonte nga të gjithë deputetët të mos udhëtonin jashtë vendit deri më datën 20 shkurt. Kjo, pasi disa nga ligjvënësit nuk i ishin bindur vendimit, shkruan sot Koha Ditore.
Kryesia kishte vendosur kësisoj më 22 janar, ditën kur kishte proceduar dy iniciativa për shfuqizimin e Ligjit për Gjykatën Speciale – atë të deputetëve, si dhe nismën qytetare të sponsorizuar nga organizatat e dala nga lufta. Ajo donte që të mos kishte mungesa, për një vendimmarrje të mundshme rreth Speciales. Por lidershipi politik hoqi dorë nga iniciativa, pas presionit ndërkombëtar.
Ndërkaq, vendimi për t’i disiplinuar deputetët nuk ka dhënë rezultate. Prej atëherë, ka pasur ndërprerje seancash në mungesë kuorumi. Ngjashëm ka ndodhur edhe me seancën e së premtes, e cila është shtyrë për të martën, pa mundur që të votohet raporti për mjedisin, meqë pas shqyrtimit të këtij dokumenti, në sallë nuk kishin mbetur as gjysma e 120 deputetëve sa ka Kuvendi.
Vetë kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, nuk ndodhet në Kosovë. Ai ka qenë në Kroaci, në një vizitë zyrtare.