Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, ka apeluar tek ngasësit e veturave, që të kenë kujdes të shtuar gjatë udhëtimit në trafik, për shkak të gjendjes së krijuar nga kushtet atmosferike me të reshura të pandërprera të borës.
Pavarësisht kësaj, ministri Lekaj ka thënë se të gjitha ekipet e kompanive të kontraktuara për mirëmbajtjen e rrugëve mbeten të angazhuara maksimalisht për krijimin e kushteve të përshtatshme për qarkullim, njofton Klan Kosova.
”Bora nuk po ndalet e as puna për ta pastruar atë. Kompanitë e kontraktuara dhe ekipet e Ministrisë së Infrastrukturës janë në teren gjithandej Kosovës për të mundësuar qarkullim në të gjitha rrugët rajonale, nacionale dhe autostrada. Shoferë, keni kujdes, përshtatjuni kushteve atmosferike dhe mos dilni pa pajisje dimërore!”, shkruan ministri Lekaj në facebook.