Ministria e Jashtme e Palestinës njoftoi se qeveria izraelite vazhdon të rrisë shkeljet e saj për ta futur Bregun Perëndimor në spiralen e dhunës, transmeton Anadolu.
Në një deklaratë me shkrim nga MPJ-ja palestineze thuhet se forcat izraelite dhe kolonët hebrenj vazhdojnë sulmet e tyre kundrejt palestinezëve në Kudsin Lindor dhe në Bregun Perëndimor.
Forcat izraelite kanë rritur krimet e tyre për prishjen e shtëpive që u përkasin palestinezëve në qytetin e Kudsit, kryesisht përreth Xhamisë Al-Aksa, njoftohet në deklaratën në të cilën thuhet se “Izraeli pushtues vazhdon të rrisë shkeljet e tij për ta futur Bregun Perëndimor në spiralen e dhunës”.
Më tej në deklaratë theksohet se administrata e Tel Avivit po përpiqet të krijojë mjedis kaosi për të rritur projektet e tij të vendbanimeve në Bregun Perëndimor dhe se qeveria izraelite sfidon përpjekjet e treguara për qetësi në Bregun Perëndimor.
Në deklaratë rikujtohet se forcat izraelite me bastisjet që kryejnë në Bregun Perëndimor kanë vrarë civilët dhe kanë frikësuar vazhdimisht njerëzit e pafajshëm, ndërsa kolonët hebrenj kanë grabitur tokat duke sulmuar palestinezët.
Gjithashtu, MPJ-ja palestineze thekson se komuniteti ndërkombëtar ka mbetur i paaftë të ndalë luftën e cila arrin deri në krimet e gjenocidit që kryhet në Rripin e Gazës dhe se kjo e inkurajon qeverinë e ekstremit të djathtë të Izraelit.