Palmeri i jep mbështetje reformave në drejtësi

Ministrja Dhurata Hoxha, gjatë ditës së sotme ka takuar drejtorin e Zyrës për Evropën Qendrore dhe Jugore në Departamentin e Shtetit të SHBA-së, Matthew Palmerin.

Në takim është biseduar rreth të arriturave në sistemin e drejtësisë në Kosovë dhe reformave gjithëpërfshirëse që po bëhen sektorin e Sundimit të Ligjit. Hoxha e ka informuar Palmerin për procesin e rishikimit funksional në sektorin e sundimit të ligjit që po bëhen për ngritjen e imazhit të sistemit të drejtësisë, duke përfshirë këtu ngritjen e performancës së gjyqësorit, rritjen e transparencës së sistemit të drejtësisë, duke sforcuar kështu besimin e qytetarëve në sistemin e drejtësisë si dhe fuqizimin e sundimit të ligjit në tërësinë e tij. Ndërsa drejtori i Zyrës për Evropën Qendrore dhe Jugore në Departamentin e Shtetit të SHBA-së, Matthew Palmer, ka vlerësuar të arriturat në Kosovë duke shprehur përkrahjen e tij ndaj reformave në sistemin e drejtësisë, si dhe ndaj përkushtimit të Kosovës për avancimin e mëtejmë të shtetit ligjor. Palmeri po ashtu, ka shprehur përkrahjen e mëtutjeshme të SHBA-së për Kosovën dhe për rajonin.