PAN ‘djeg’ Haradinajn

Hyrja në koalicion me Partinë Demokratike të Kosovës, e ka dëmtuar dukshëm  figurën politike të Ramush Haradinaj. Ish komandanti i Dukagjinit e ka zbehur ndikimin e tij tek publiku me hyrjen në listë të përbashkët me PAN-in,  rezultati i së cilës e dëmtoi edhe më shumë kreun e AAK-së. Kështu cekin analistët politikë në vend, të cilët besojnë se Haradinaj do i vuaj pasojat e bashkëpunimit me PDK-në. Madje, politologët mendojnë se kreu i AAK-së duhet ti ulë ambiciet e tij për të udhëhequr vendin, nëse edhe kësaj radhe ai dështon të bëhet kryeministër.  Në anën tjetër, edhe përkundër rezultateve të fundit në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës ende besojnë tek fuqia e Haradinajt, dhe kësisoj ata nuk hezitojnë të tregojnë se do e kandidojnë Haradinajn për kryeministër  edhe në zgjedhjet e ardhshme qendrore.

Muharremaj : Ne si Aleancë jemi të kënaqur me rezultatin

Në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, vlerësojnë se edhe pas koalicionit e rezultatit të 11 qershorit figura e Ramush Haradinajt nuk ka pësuar rënie në publik. Kandidati për deputet nga kjo parti, Bali Muharremaj ka thënë se për koalicionin me PDK-në, nuk ka vendos vetëm Haradinaj, por tërë kryesia e AAK-së.

“Nuk besoj se dëmtohet figura e Haradinajt, për arsye se për koalicionin ka marrë vendim, organi më i lartë i partisë edhe ia ka dhënë mundësinë z.Haradinaj të bëj marrëveshje më kë të dojë. Nuk e ka vendos Haradinaj, por e vendos organi drejtues i partisë”, ka potencuar Muharremaj. I cili thekson se subjekti që ai përfaqëson është ndarë i kënaqur nga rezultatet e 11 qershorit.

“Ne si Aleancë jemi të kënaqur, tri partitë që kemi qenë bashkë, kuptohet se ka rënie të votave, por Aleanca nuk ka rënie të votave. Kështu që jemi të kënaqur, p.sh unë i kam marrë 6 mijë vota, Aleanca nuk ka rënie vetëm rritje”, ka shtuar ai.

Ndërkohë, AAK edhe përkundër ndodhive të fundit është e vendosur që Ramush Haradinaj ta nominojë për kryeministër edhe në zgjedhjet e ardhshme qendrore.

“Patjetër se do ta nominojmë, patjetër se po”, ka përfunduar Muharremaj.

Ismajli : Janë dëmtuar dy subjektet

Kurse, njohësi i çështjeve politike, Valmir Ismajli mendon se nëse edhe kësaj radhe Haradinaj dështon të bëhet kryeministër, ai duhet të reflektojë.

“Sistemi zgjedhor në Kosovë u lejon partive të vogla si AAK që të kenë edhe ambicie të tilla që të synojnë edhe postin e kryeministrit. Këto synime që në shumicën e rasteve shkojnë përtej fuqisë votuese që kanë, duket që po dëmtojnë rëndë ato. Nëse edhe kësaj radhe dështon z. Haradinaj që të bëhet kryeministër, ai duhet që të reflektojë dhe ndoshta të zvogëlojë ambiciet e tij kundrejt fuqisë elektorale që ka”, është shprehur Ismajli. Duke vlerësuar se hyrja në koalicion të përbashkët i ka dëmtuar edhe PDK-në edhe AAK-në.

“Nuk mundesh që deri në momentin e fundit të kesh një fjalor shumë të ashpër ndaj një subjekti politik dhe në fund të përfundosh në të njëjtën listë me ta, pavarësisht pozitës që mund të të ofrohet. Hyrja në momentet e fundit të AAK-së në një listë të përbashkët me PDK, duket se i ka dëmtuar të dy subjektet”, ka theksuar Ismajli.

Sipas tij, rezultati i koalicionit në zgjedhjet e 11 qershorit nuk është favorizues për Haradinajn.

“Për të folur për pozicionin e saktë të z. Haradinaj pas këtyre zgjedhjeve duhet të presim certifikimin e  rezultateve për kandidatë. Pra, duhet të dimë se sa kandidatë të AAK-së brenda koalicionit PAN kanë siguruar ulësen e deputetit për të folur për fuqinë e AAK-së rrjedhimisht të z. Haradinaj. Rënia nën 35% e tërë koalicionit, normalisht që nuk është favorizuese për z. Haradinaj”, ka thënë Ismajli.

Haradinaj do ti vuaj pasojat

Derisa, analisti Krenar Shala konsideron se kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj është dëmtuar mjaft nga PAN.

“Ai e ka dëmtuar veten edhe më shumë me lidhjen e koalicionit parazgjedhor dhe vetëm se i ka bërë shërbim PDK-së, parti të cilën e ka kundërshtuar më herët”, është shprehur Shala.

Tutje, ai nuk beson se Ramush Haradinaj do udhëheq me Qeverinë e ardhshme.

“Mendoj që qytetarët kanë votuar për ndryshim të konceptit zhvillimor dhe Ramush Haradinaj nuk paraqet përputhje me këtë koncept. Nuk besoj që Haradinaj do të jetë kryeministër”, ka përfunduar Shala.

Derisa, njohësi i çështjeve politike, Dimal Basha vlerëson se Ramush Haradinaj do ti vuaj pasojat për bërje të koalicionit me PDK-në.

“Unë parashikoj që Presidenti t’i jap rastin z. Haradinaj të provoj, mirëpo këtë rast nuk do ta ketë edhe herën e dytë, që çon në rrugëdaljen e vetme që do të jetë koalicioni mes LVV dhe PDK-së. Kjo do shkaktoj që z. Haradinaj të largohet nga koalicioni dhe të del prapë në opozitë, ku doemos se do të vuaj pasoja duke marrë parasysh mënyrën e futjes së tij në koalicion parazgjedhore”, ka thënë Basha.

Më tej, ai shprehet i bindur se Haradinaj do ta ketë të vështirë të fitojë mandatarin.

“Unë mendoj se duke marrë parasysh rezultatet, z. Haradinaj gjendet me një pozitë ku do ta ketë të pamundur aprovimin e shumicës së Kuvendit për formimin e një qeverie”, ka theksuar Basha.

Abazi : Kjo nuk ishte përzgjedhja më e dëshiruar e Haradinajt

Njohësi i çështjeve ndërkombëtare, Haki Abazi mendon se hyrja në koalicion me PAN-in, nuk ishte përzgjedhja më e dëshiruar për Haradinajn.

“Nuk e paramendoj që kjo ishte përzgjedhja më e dëshiruar për Z. Haradinaj por zgjedhja për një opsion për të marrë drejtimin e qeverisë apo më mirë thënë rimarrë duke pas parasysh se mandati i tij si kryeministër ishte ndërprerë për shkak të shkuarjes në Hagë”, ka thënë Abazi.

Sipas tij,  Haradinaj do të bëj marrëveshje për të siguruar votat e mjaftueshme.

“Kjo është edhe domosdoshmëri për shakë të agjendës shumë serioze dhe situatës së vështirë që gjendet vendi. Duke qenë njohës i shumicës së prapaskenave dhe marrëveshjeve kjo që kemi është rezultati  më i mire që do të mund të kishim prej krejt asaj status-quo që është krijuar që nga shpallja e pavarësisë”, ka përfunduar Abazi.

Syla : Haradinaj nuk është humbës

Në anën tjetër, gazetari Valon Syla nuk e sheh humbës Ramush Haradinajn, përkundrazi ai thekson se në bazë të rezultatit të fundit, Haradinaj mund të njihet si fitues.

“Pa marrë parasysh humbjes së votave nga koalicioni PAN (rreth 60 mijë vota), Ramush Haradinaj është zyrtarisht fitues i zgjedhjeve dhe nuk mund të quhet humbës, duke e pasur parasysh se lista që ai e udhëheq ka dalë si partia e parë me 34 për qind”, ka thënë Syla duke mos e mohuar vështirësinë e krijimit të Qeverisë “Haradinaj”.

“Do të ketë vështirësi në krijimin e qeverisë, gjë të cilën do ta shohim nëse Z. Haradinaj do të arrijë ta formoj qeverinë i pari në të ardhmen. Në rast se arrin të krijoj Qeverinë, kjo përkundrazi, do të ishte sukses i tij, dhe kurrsesi dështim”, ka deklaruar Syla.

Sipas tij, fitues zyrtar i këtyre zgjedhjeve është koalicioni PAN, ndërsa triumfues jo zyrtar është Lëvizja Vetëvendosje.

“Rreth humbësve të këtyre zgjedhjeve, mendoj se është Isa Mustafa dhe LAA, apo shkolla e Riinvestit dhe koalicionit të tyre me Behgjet Pacollin. Sepse ftuesi zyrtar i këtyre zgjedhjeve është PAN, ndërsa, fitues i dyfishtë i votave është VV, dhe fitues jozyrtar i zgjedhjeve të 11 qershorit”, ka përfunduar Syla.

 

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme