Në Kosovë, gjatë këtij viti, janë evidentuar tetë raste të reja me HIV, njëjtë sikurse në atë të kaluarin, derisa janë mbi 40 persona që monitorohen nga Klinika Infektive.
E në këtë të fundit, paniku kishte qenë i lartë më 1986. Në këtë vit, ishte shtruar pacienti i parë me këtë sëmundje. Kjo u bë e ditur dhe u konfirmua vetëm kur mostra për analizë u dërgua në kryeqytetin kroat, sepse në Prishtinë nuk bëhej një gjë e tillë.
Infektologu Ilir Tolaj, që në atë kohë ishte mjek-specializant në këtë fushëi, rrëfen për televizionin, panikun e asaj kohe nga personeli joshëndetësor. “E thirrëm fotografin e QKUK-së të asaj kohe që ta fotografonte ndryshimin që i ishte shfaqur në gojë pacientit. Ai donte ta fotografonte nga dera, nga korridori, që ishte e pamundur të bëhej”, ka treguar Tolaj për KlanKosova.
Por as këtu nuk përfundoi stigma. Pas vdekjes së këtij pacienti, i gjithë inventari i dhomës së tij u dogj dhe dhoma u dezinfektua. Tolaj shpjegon se pak a shumë, kësi frike e panik pati edhe në fillim të pandemisë COVID-19, derisa u mësua më shumë rreth këtij virusi./syri



