Papa Françesku i ka quajtur abuzimet seksuale të fëmijëve nga ana e klerikëve katolikë “monstruoze” në parathënien e librit të një zvicerani të publikuar të mërkurën, duke u obliguar për veprim kundër kryerësve dhe peshkopëve.
Libri me titull “ At, të fali: i keqpërdorur, por jo edhe i thyer”, ka shkruar autori zviceran Daniel Pittet, 58 vjeçar të cilin kleriku e ka përdhunuar për herë të parë kur i kishte vetëm tetë vjet.
Papa Françesko, i cili shpesh ka përsëritur premtimin për zero tolerancë ndaj abuzimeve, e të cilin e kanë kritikuar viktimat të cilët konsiderojnë se Vatikani duhet të bëjë shumë më tepër për këtë çështje, në parathëniet të librit e ka quajtur abuzimin seksual “monstruozitet absolut, mëkat të tmerrshëm i cili është në kontradiktë me gjithë çfarë mëson Kisha”, përcjell Gazeta Metro.
Parathënia është publikuar të mërkurën në gazetën gjermane Bild.
Françesku në të shkruan se fatet e fëmijëve të abuzuar qëndrojnë në shpirtin e tij, sidomos të atyre të cilët ia kanë marrë vetes jetën.
“Do të kundërshtojmë me masat më të forta ndaj këtyre klerikëve të cilët e kanë tradhtuar misionin e vet. Kjo i referohet edhe ndaj peshkopëve dhe kardinalëve të cilët i kanë mbrojtur ata, e që gjatë historisë shpesh ka ndodhur”, ka theksuar Papa.
Papa Françesku në parathënie e lavdëron guximin e Pittet’it rreth zbulimit të tregimit të vet, duke theksuar se e ka goditur thellë aftësia e tij për ta falur abuzuesin e vet pas 44 viteve. Pittet, i cili kishte përjetuar katër vite përdhunime dhe abuzime dhe ekspozimit në përmbajtje pornografike, sot jeton në qytetin zviceran Fribourg, është baba i gjashtë fëmijëve dhe punon si bibliotekist.
Informatat mbi abuzimin seksual në mes të klerikëve filluan të dalin në publik në SHBA me rastet në Luizianë në vitin 1984, dhe kanë eksploduar në vitin 2002 kur gazetarët në Boston kishin zbuluar se peshkopët vazhdimisht i kishin zhvendosur abuzuesit nëpër pozita të reja në vend se t’i dëbonin nga Kisha.
Prej atëherë kishin dalë në sipërfaqe mijëra raste nëpër gjithë botën, që i kishin inkurajuar viktimat të flasin për rastet e veta. Kjo e ka tronditur autoritetin e Kishës nëpër vende si Irlanda, dhe ka rezultuar me më shumë se dy miliardë dollarë dëmshpërblim.