Vizita e sotme e Papa Franciskos në Republikën e Maqedonisë së Veriut (RMV) është e para e këtij lloji nga ai dhe nga Kisha Katolike. Kjo do ta shënojë vizitën e 42-të që Papa ka realizuar në vende të ndryshme pasi mori kreun në vitin 2013-të.
Institucionet përgjegjëse, dje kanë njoftuar, se janë pëmbushur të gjitha kushtet dhe nevojat teknike dhe organizative për vizitën. Në fuqi kanë hyrë masa të veçanta të sigurisë, janë bllokuar disa rrugë dhe bulevarde të Shkupit, e cila rezultoi edhe me shpallje të ditës së sotme si ditë jopune në territorin e qytetit të Shkupit. Çdo qytetarë duhet të mbajë dokument të identifikimit.
Në rrugët e Sheshit të Shkupit, do të ketë zona, në të cilat mund të qëndrojnë edhe qytetarët të cilët nuk kanë bileta të rezervuara paraprakisht. Pritet që sot në Shkup të qëndrojnë mbi 15 mijë qytetarë, por edhe përfaqësues shtetëror edhe shpirtëror të shteteve të rajonit dhe me gjerë. Është apeluar që qytetarët të shfrytëzojnë transportin publik dhe hekurudhor të cilat sot gjatë tërë ditës do të jenë falas. Falas do të jetë edhe parkimi në parkingjet e qendrës së Shkupit.
Në kuadër të vizitës njëditore, Papa Francisko pritët të realizojë këto aktivitete:
- Aktiviteti i parë – arritja në “Aeroporti Ndërkombëtar – Shkup” ku do të zhvillohet pritje solemne me roje nderi të armatës,
- Aktiviteti i dytë – pritja solemne në pallatin presidencial, Villa Vodno. Takime me presidentin aktual, Gjorge Ivanov dhe kryeministrin, Zoran Zaev,
- Aktiviteti i tretë – Takim me krerët fetarë në shtëpinë përkujtimore të Nënë Terezës në Shkup,
- Aktiviteti i katërt – Mesha e Shenjtë në Sheshin “Maqedonia”,
- Aktiviteti i pestë – Takim ekumenik dhe ndërfetar me të rinjtë e përkatësive religjioze të ndryshme në RMV, në Kishën Katolike të Shkupit,
- Aktiviteti i gjashtë – Takimi me priftërinjtë dhe familjet e tyre në Kishën Katolike/ Qendra Baritore dhe
- Aktiviteti i shtatë – Vajtja e Papa Franciskos, përcjellja me gardë ushtarake nderi në “Aeroporti Ndërkombëtar – Shkup”.
- Në kuadër të vizitës së tij, Papa pritet të përçojë porosi ekumeniste, për afrim dhe ribashkim, e cila ka një rëndësi të veçantë për në natyrën shumëreligjioze të RMV-së.
Vizitë nën mbrojtjen e Nënë Terezës
Në fjalimin e bërë para ardhjes në RMV, Papa Francisko ka bërë të ditur se ardhja e tij është nën mbrojtjen e nobelistes me prejardhje shqiptare nga Shkupi, Agnesë Gonxhe Bojaxhiu apo Nënë Tereza. Nënë Tereza njihet si Misionare e Bamirësisë.
Pasi kishte jetuar në Maqedoni për tetëmbëdhjetë vjet, ajo u shpërngul në Irlandë dhe më pas në Indi, ku jetoi pjesën më të madhe të jetës së saj. Ajo ka marrë edhe çmimin nobel për paqe, në vitin 1979.
“Vizitën time ia kushtoj një shenjtore të madhe, një bije të vendit tuaj, Nënës Terezë, e lindur dhe e rritur në Shkup, e cila me ndihmën e Perëndisë u bë misionare e guximshme e Krishtit në botë, duke u dhënë shpresë dhe dinjitetin të varfërve. Të dashur miq, le të përgatisim takimin tonë me lutje që ky takim të jetë i mbushur me paqe dhe të mira për të gjithë njerëzit tuaj“, thuhet ndër të tjera në mesazhin e Papës.