Paqartësitë e krizës politike në Maqedoni, tensionojnë situatën

Presidenti i Maqedonisë, Gjorge Ivanov, vazhdon ta mbajë të bllokuar kapërcimin e krizës institucionale, pavarësisht thirrjeve të qarta nga Bashkimi Evropian dhe SHBA-të për dhënien e mandatit liderit opozitar, Zoran Zaev, i cili ka siguruar shumicën parlamentare për formimin e qeverisë së re të Maqedonisë, njofton REL.

Presidenca mbetet në qëndrimin se “mandati nuk do t’i jepet asnjë individi apo partie që me programin e saj rrënon sovranitetin dhe karakterin unitar të shtetit përmes platformave të hartuara në shtetet fqinje”.

Kreu i OBRM-PDUKM-së ka thënë se kriza mund të kapërcehet vetëm përmes zgjedhjeve të reja në të cilat sipas tij “qytetarët duhet të deklarohen se e pranojnë apo jo platformën shqiptare që parasheh dygjuhësinë në Maqedoni si hap drejt ndarjes së shtetit”.

LSDM-ja e Zoran Zaevit ka thënë se Gruevski “luan lojëra të rrezikshme” ndërsa nga presidenti ka kërkuar mandatin, por pa përjashtuar edhe mundësi tjera për kapërcimin e gjendjen, megjithëse nuk ka saktësuar se cilat mund të jenë ato.

Një gjendje e këtillë e paqëndrueshmërisë politike, thonë ekspertë të fushës, ka përkeqësuar edhe situatën e sigurisë me mundësi të përshkallëzimit me përmasa të rrezikshme duke marrë parasysh deklaratat e zyrtarëve të OBRM-PDUKM-së se “me çdo kusht dhe me të gjitha mënyrat do të mbrojnë shtetin”.

Njohësit e çështjeve të sigurisë thonë se partia e Gruevskit në fakt nuk mbron shtetin nga gjuha shqipe, por ajo shfrytëzohet si alibi për të mbrojtur veten nga shpërdorimet e shumta që ka bërë.

“Protestat e fundit që po mbahen dhe që po thirren janë kundër shqiptarëve, por kjo nuk ka të bëjë me realitetin. Kjo është një situatë e inskenuar dhe në rast se përshkallëzohet apo rriten turbulencat, kjo edhe më shumë do të vështirësojë funksionimin e institucioneve. Këta persona që kanë udhëhequr dhe vazhdojnë ta mbajnë pushtetin dhe që duhet të garantojnë sigurinë, janë pikërisht ata që bëjnë thirrje për pasiguri vetëm e vetëm për të mbuluar veprat e tyre në dyshimta”, thotë Bashkim Selmani, profesori i së drejtës penale në Universitetin Fon të Shkupit.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme