Rreth 200 metra larg murit që është ngritur së fundi pranë urës së lumit Ibër në Mitrovicë, serbët kanë nisur ndërtimin e një objekti tjetër. E që sipas ish kryetarit të Komisionit për Veriun në KK të Mitrovicës, Vesel Neziri, ndërtimi i Parlamentit të Serbisë po bëhet për Asociacionin e Komunave me shumicë Serbe.
“Atje përveç murit, ka nisur edhe ndërtimi i Parlamentit të Serbisë dhe askush nuk po reagon për këtë”, ka deklaruar Neziri, i cili dje dha dorëheqje nga posti i kryetarit të Komisionit për Veriun në KK të Mitrovicës, pasi i njëjti edhe pas shtatë përpjekjeve, nuk kishte arritur ta mbledhë asnjëherë kuorumin për të folur për brengat e qytetarëve të veriut.
Dje Indeksonline kishte raportuar për ndërtimin e këtij objekti ku shefja e Zyrës Administrative, Adriana Hoxhiq kishte thënë se Bashkimi Evropian ka kryer të gjitha procedurat për tenderimin dhe pastaj ka filluar ndërtimin.
“Ne deri tani kemi paguar qira dhe pas decentralizimit Komuna e Mitrovicës është ndarë në dy administrata, në jug dhe veri. Me këtë decentralizim ndërtesa e komunës ka mbet në territorin e jugut kështu që veriu ishte në mungesë të një objekti. Për këtë arsye ka filluar ndërtimi për komunën veriore unë sa e di”, është shprehur ajo.
Më tej, Hoxhiq tregon se pas përfundimit të punimeve i gjithë stafi zyrtar në veri do të shpërngulet në objektin e ri.