Partitë politike synojnë fitore në zgjedhjet lokale

Kur kanë mbetur edhe 2 muaj deri në mbajtjen e zgjedhjeve lokale, partitë politike vazhdojnë t’i propozojnë kandidaturat e tyre me të cilët do të dalin me ofertë për qytetarët më 22 tetor. Edhe pritshmëritë e këtyre partive për këto zgjedhje duket se janë të mëdha.

Partitë politike kanë synim kryesor marrjen e sa më shumë qyteteve nën qeverisjen e tyre.

Lëvizja Vetëvendosje deri më tani ka bërë publik emrat e kandidatëve për kryetar në disa komuna, ku për komunën e Prishtinës ka nominuar edhe për një mandat katër vjeçar kryetarin aktual Shpend Ahmeti. Ndërsa, për komunën e Gjilanit kandidat nga kjo parti është Sami Kurteshi, për atë të Lipjanit Selatin Retkoceri, për komunën e Istogut Agron Avdijaj, për komunën e Therandës Leonard Shala, për komunën e Vitisë Salih Salihu, Bashkim Nurboja për Pejën, Sali Zyba për Therandën, Shemsi Elezi për Drenasin, Mytaher Haskuka për komunën e Prizrenit, ndërsa për komunën e Podujevës do të jetë Ajet Poterën.

Ndërkohë që për komunat e tjera sipas anëtares së kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, Nazlie Balaj, pritet të dalin ditëve në vijim. Për KosovaPress, ajo ka bërë të ditur se në shumicën dërrmuese të komunave kanë përfunduar procesin e përzgjedhjes së asamblistëve dhe të kandidatëve për kryetarë të komunave.

Ajo shprehet e bindur se në shumë komuna do të dalin fitues pa balotazh, ndërsa në të tjerat komuna do të fitojnë përmes balotazhit.

“Rezultatet e 11 qershorit e kanë renditur Lëvizjen Vetëvendosje partinë e parë në vend, mirëpo pas 11 qershorit është dyfishi apo trefishi i gatishmërisë së qytetarëve që ta votojnë Lëvizjen Vetëvendosje dhe kandidatët e saj për kryetar komunash. Në shumicën dërrmuese të komunave do të fitojmë pa balotazh dhe një pjesë të tyre do të fitojmë përmes balotazhit, në tanësi Lëvizja Vetëvendosje do të dal fuqishëm fituese në pjesën më të madhe të komunave të Kosovës. Rezultati i 11 qershorit veç iu kanë treguar Gjilan, Ferizaj, Pejë, Prizren, Gjakovë, kushtimisht kështu po e them, mirëpo sipas disponimit të qytetarëve dhe disponimit të tyre në pjesën dërrmuese, në shumicën absolute të komunave do të dalim fitues”, tha ajo.

Partia Demokratike e Kosovës është e vetmja parti e cila ende nuk ka dal me prezantimin e ndonjë kandidati për komunat e Kosovës, por që anëtarja e kryesisë së kësaj partie Blerta Deliu, ka thënë se do t’i përmbahen rregullave ligjore për të dal me kandidatura dhe lista.

Ajo ka thënë se Partia Demokratike e Kosovës edhe këtë herë do të garojë me platformën më të mirë për fituar komunat ku janë në opozitë.

“PDK edhe kësaj radhe do të garoj me platformën me të mirë për të ofruar me të mirën për qytetarët dhe për të fituar bindshëm në ato komuna ku ne jemi në opozitë dhe për të rikthyer fitoren fuqishëm ato komuna ku qeverisim tash e sa vite”, tha ajo.

Kurse, Lidhja Demokratike e Kosovës nuk ka bërë ndonjë ndryshim që nga zgjedhjet e kaluara. LDK ka bërë publik emrat e kandidatëve për kryetar të 13 komunave, ku shumica prej tyre do të jenë kandidat edhe për një mandat. Kjo parti për Podujevën kandidon kryetari aktual Agim Veliu, në Istog Haki Rugova, në Gjilan Lutfi Haziri, në Pejë Gazmend Muhaxheri, në Fushë Kosovë Burim Berisha, në Lipjan Imri Ahmeti, në Suharekë Sali Asllanaj, në Viti Sokol Haliti, në komunën e Dragashit kandidat është kryetari i degës Selim Kryeziu, në Kamenicë Shaip Surdulli, Shtime Selim Shabani, në Ferizaj Muharrem Sfarqa dhe në Novobërdë Bajrush Ymeri.

Kjo parti nuk ka bërë publik emrin e kandidatit për kryeqytetin, ku deri para katër vite kryeqyteti ka qenë bastion i Lidhjes Demokratike të Kosovës. Ndër emrat që janë përfolur për kandidat potencial për kryeqytetin janë Vjosa Osmani, Lumir Abdixhiku, por edhe ish kryetari i Prishtinës Ismet Beqiri, derisa i mbetet të publikojë edhe kandidatin për Prizren.

Kurse, Nisma për Kosovën deri më tani ka bërë publik emrin e kandidatit për qytetin e Prizrenit, e që është Zafir Berisha dhe atë të Gjakovës, Fazli Hoxhën.

Anëtarja e kryesisë së kësaj partie Valdete Bajrami, për KosovaPress ka bërë të ditur se janë afër finalizimit të listave për kryetar të komunave dhe për asamblist.

Nisma për Kosovën merr pjesë për herë të parë si parti në zgjedhjet lokale, por që sipas Bajramit kjo gjë është e mirë për qytetarët e Kosovës, pasi që po iu ofrohet një frymë e re.

“Nisma për Kosovën ka bërë një punë shumë të madhe dhe rezultati i saj është parë në nivel nacional, por në nivel lokal ne jemi për herë të parë në garë dhe kjo është një e mirë për Nismën dhe për qytetarët, sepse po iu ofrohet një mundësi që të ketë një frymë të re, një frymë social demokrate edhe në nivel lokal. Me qeverisjen në Malishevë kemi dhënë shembull se si duhet të qeveriset me qytetarë, dhe këtë besoj që e kanë thënë raportet të cilat e monitorojnë nivelin komunal në Malishevë, jo Nisma, jo strukturat e Nismës prandaj besoj që shumë komuna do ta kenë fatin e Malishevës që të pësojnë ndryshim pozitiv në këtë rast, sepse kemi degradim në të gjitha komunat”, tha ajo.

Ajo tha se shumica e partive po kandidojnë me kandidatët e njëjtë dhe se qytetarët janë lodhur nga ata kryetarë, kurse, Nisma është alternativa e cila do të duhej të shihej si shpëtim për qytetarët në nivel lokal.

E kjo parti, synon që të ketë nënqeverise pa balotazh Drenasin, Prizrenin, Lipjanin, Kaçanikun, Shtimen, por pa përjashtuar edhe qytetet e tjera të Kosovës.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ditë më parë ka bërë publik emrin e kandidatit për kryetar të Prishtinës, Arbër Vllahiu, për komunën e Obiliqit, kryetari aktual Xhafer Gashi, kurse për kryetar të komunës së Deçanit është përmendur emri i Daut Haradinaj.

E Aleanca Kosova e Re, muaj më parë ka bërë publik emrin e kandidatit për kryetar të komunës së Ferizajt, e ku pritet të jetë tashmë deputeti i zgjedhur Labinot Tahiri. Sekretari i përgjithshëm i kësaj partie, Vesel Makolli, ka thënë se janë afër përfundimit të listës së kandidatëve për kryetar dhe për asamblistë dhe se në afatet ligjore do t’i kenë të përfunduar.

Synim sipas Makollit, AKR në këto zgjedhje e ka shtimin e numrit të komunave ku do të qeverisin.

“Presim që të shtojmë numrin e komunave ku ne do të qeverisim, me siguri do ti shtojmë, tash varet krejt edhe nga rrethanat tjera, por ne kemi qenë që një vit e gjysmë kemi qenë në ato zgjedhjet interne ë partisë kemi ristrukturuar partinë pothuajse prej zeros andaj veç jemi të mobilizuar në plot kuptimin e fjalës për zgjedhje. Kështu që i presim me entuziazëm dhe presim shumë sukses prej këtyre zgjedhjeve sepse jemi të mobilizuar. Është e vështirë me thënë, por ne presim Mitrovicën, Kamenicën, Gjakovën, por edhe në Prishtinë presim me pas sukses, shumë shpresojmë që do të kemi sukses në Prishtinë dhe besoj që do të kemi një kandidat shumë të fortë në Prishtinë dhe të jemi partia kryesore në Prishtinë”, tha ai.

Zgjedhjet lokale për kryetar komunash dhe për asamblist do të mbahen me 22 tetor të këtij vit./kp/

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme